Rama flet për Ervis Martinajn: Policia ka një version për zhdukjen

Kryeministri Edi Rama ka folur sërish lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt. Ai tha se policia ka një version të saj për këtë çështje.

Megjithatë sipas tij për ta komunikuar zyrtarisht këtë version duhen prova. Kreu i qeverisë theksoi se kjo ngjarje është dhe një nga arsyet përse rezultatit i punës së Gledis Nano u bë edhe më i dobët.

“Këtë e theksova në fjalimin para trupës drejtuese të Policisë së Shtetit. Kjo ishte dhe arsyeja kryesore mes atyre që përmenda. Ne e pamë të udhës që t’i kërkojmë Drejtorit të Përgjithshëm të bëjë një hap mbrapa.

Është e pabesueshme që të jetojmë në një Big Brother të kronikës së zezë dhe me spekulantë që hedhin lloj-lloj versionesh. Ndërkohë mediat udhëheqin këtë telenovelë për aq kohë sa policia nuk ka versionin zyrtar.

A ka policia informacion? Këtë do e shikojmë. A kam unë një version? Unë jam vazhdimisht i informuar nga Policia e Shtetit. Problemi është që policia duhet të ketë version të bazuar në prova.

Policia ka shumë më tepër se të tjerët, por kur bën një deklaratë zyrtare duhet të ketë prova. Uroj ta ketë versionin sa më shpejtë” – tha Rama në Opinion. ©LAPSI.al