Policia e Shkodrës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me zbardhjen e vrasjes së Erjon Xhenjes, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 18 shtatorit. Në njoftim bëhet me dije se efektivët kanë rënë në gjurmët e Bajram Çekorjas, 24 vjeç, të cilin e kanë shpallur në kërkim për këtë krim. Policia njofton se gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motor i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Tani po punohet për kapjen e Çekorjas dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

NJOFTIMI I POLICISE:

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.

Erjon Xhenje u qëllua me mbi 30 plumba në Shkodër. 19-vjeçari ishte ulur në një lokal, duke konsumuar kafe në momentin që mbeti i vdekur. Erjon Xhenje dyshohet se ka pasur gisht në atentatin ku mbeti i ekzekutuar Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekorjas. Ismet Çekorja, 58 vjeç, banues në lagjen “Kiras” në Shkodër është ekzekutuar me armë zjarri mesditën e dy gushtit.