Gazetarja Klodiana Lala thotë se ish-drejtori i përgjithshëm i policisë Gledis Nano është informuar nga agjenti i Operacionales Jeton Lami, tashmë i arrestuar, për të gjithë efektivët që ishin në listëpagesën e të shumëkërkuarit që është zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj.

E ftuar në studion e emisionit Opinion, Klodiana Lala u shpreh se Lami dhe Nano kanë patur një bisedë 15 minutëshe, gjatë të cilës, efektivi ka treguar lëvizjet e Ervis Martinajt dhe emrat e zyrtarëve të policisë që paguheshin nga ai.

“Janë dy njerëzit që mund ta zbardhin këtë histori; Jeton Lami i cili është çelësi për të shkuar te fati i Ervis Martinaj dhe i shumë ngjarjeve të tjera kriminale. Ai ka refuzuar të flasë deri tani. Dhe personi i dytë është Gledis Nano. Në momentin që është paraqitur dhe i është vënë në dispozicion një urdhër për arrestimin e Jeton Lamit i cili rezultonte nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës që kishte eskortuar Ervis Martinaj, është thirrur bashkë me shefin e sektorit të paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Z.Nano nuk flet për këtë histori dhe ka mbyllur çdo kontakt me gazetarët, por këto janë burime të besuara që disponoj. Është thirrur në zyrën e një nga drejtuesit e policisë, nuk është pritur në zyrë nga z. Nano, por në informacionet që disponoj dhe të thëna nga vetë agjenti i Operacionales, rezulton që z.Nano ka qëndruar pak kohë me të, kokë më kokë, diku te rreth 10-15 minuta, ku ai i ka treguar të gjitha lëvizjet e fundit të Ervis Martinajt. Ka folur edhe për emrat e atyre zyrtarëve të inkriminuar të policisë të cilët ishin në listëpagesën e Ervis Martinajt. Mendoj që këta dy njerëz mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit,”- tha Lala.

Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.