Ergys Dashi, ishte një emër jo shumë i lakuar në ambientet e kronikës së zezë në Shqipëri, por u bë i njohur pasi u ekzekutua brenda një lokali më 23 janar në fillim të këtij viti.

Pasi e vizitoi vetë vendin ku u qëllua për vdekje në Ekuador shqiptari, gazetari investigativ, Artan Hoxha njoftoi në studion e ABC Live, se ishte pikërisht në lokalin ku Ergys Dashi u eliminua nga një vrasës me pagesë teksa konsumonte ushqimin nën shoqërinë e një miku të tij. Hoxha ka mundur të kontaktojë me menaxherin e restorantit i cili ka shpjeguar se si autori i maskuar dhe me një buqetë me lule në dorë iu afrua Dashit edhe e ekzekutoi në vend.

Sipas Hoxhës, kreu i kartelit me të cilin punonte Ergys Dashi, u vra vetëm pak kohë para ekzekutimit të shqiptarit dhe shtoi se shqiptari kishte lidhje të ngushta me kreun e kartelit madje ishte kumbari i fëmijës së tij. Por pas vrasjes së bashkëpunëtorit, Ergys Dashi zgjodhi të mos largohej nga Ekuadori. Sipas Hoxhës, kjo u mor si një sfidë e hapur nga kundërshtarët dhe kryen eliminim e tij fizik.

“Ekzekutimi i Ergys Dashit ndodhi pasi ai pati një ngatërrim me kartelet atje. Një nga drejtuesit që ai punonte, dhe që ishte kumbari i fëmijës së tij u ekzekutua më parë. Ergys Dashi nuk ishte larguar nga Ekuadori. Dihej lidhja dhe njohja që ai kishte me atë person që u vra. Ishte marrë si një sfidë dhe qëndrimi aty. Kundërshtarët organizuan vrasjen e tij,”-u shpreh ai.

Një detaj tjetër i zbuluar nga Hoxha ishte fakti se gjithçka në Ekuador organizohej nga bosët shqiptarë që ndodhi në Dubai.

“Shuarje e konflikteve mes shqiptarëve varet nga ekuilibrat që vendosen në Dubai, nga të paprekshmit që ndodhen atje. Në Ekuador pashë përmasat se ekonomisë që kanë këto grupe. E kanë buxhetin shumë më të madh se ministria e Brendshme. Shanse nuk ke me ta. Nuk e fiton dot luftën me to” tha Hoxha.

Ergys Dashi, po darkonte mbrëmjen e 23 janarit 2022 në një nga restorantet e zonave më të njohura rezidenciale të Guajakilit në momentin që u ekzekutua. 34-vjeçari, nga Durrësi, por që prej vitesh jetonte midis Italisë dhe Hollandës, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Guajakil. Ishte ora 19:00 e mbrëmjes, ku ndërsa Dashi vazhdonte i qetë të darkonte në restorantin ‘Grilling’ në rrugën Jose Joaquin Orrantia (Hoze Hoakuin Orrantia), përballë qendrës tregtare ‘Mall del Sol’ dy burra shtatshkurtër u shfaqën të maskuar në derën kryesore të restorantit. Pavarësisht insistimit të rojeve të sigurisë, të cilët u kërkuan certifikatën e vaksinimit, dy burrat një prej të cilëve mbante një buqetë me lule në duar, nën kërcënimin e armëve, mundën të futen në restorant dhe të afrohen në vendin ku qëndronte Ergys Dashi. Këtë të fundit e qëlluan për vdekje me 20 plumba.