Gazetarja Anila Hoxha tha se publikimi i të dhënave të Policisë së Shtetit favorizon botën e krimit në vendin tonë,. E ftuar në “Top Story”, Hoxha shtoi se grupet kriminale mund t’i përdorin këto të dhëna e informacione për qëllimet e veta kriminale.

“Bota e krimit nuk besoj që ka fjetur gjumë gjatë këtyre orëve. Mund të ketë bërë përpjekjet madje për t’i blerë të dhënat. Hakerat kanë hyrë në zemrën dhe në trurin e Policisë së Shtetit. Kanë historikun e grupeve kriminale, informacione kriminale për ngjarje që janë në hetim e sipër. Kjo është për t’u alarmuar,”- thotë gazetarja.

Çfarë ndodhi sot?

Dokumente sekretë nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat dhe kanë zbuluar disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e disa personave, mes tyre ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Veç tyre ishte tentuar eliminimi i Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, dy zyrtarë në Kosovë. Po ashtu janë siguruar informacione edhe për qarkullimin lirshëm të Talo Çelës në Tiranë. Ai ka ardhur dhe ka takuar Ervin Matën, një prej protagonistëve të vrasjes në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe u vra miku i këtij të fundit, Fabjan Gaxha.