Rrenc-Bardhanjor, peng i premtimeve elektorale / Bashkia u premtoi rrugën banorëve, situata nuk ka ndryshuar

Fshati Rrenc dhe ai Bardhanjor janë ndër zonat më të harruara në bashkinë e Shkodrës, kjo për shumë arsye vecanërisht për mungesën e infrastrukturës.

Në këtë aks që lidh banorët e Bardhajve me Gurin e Zi nuk është investuar prej shumë vitesh.Rruga ka krijuar gropa të mëdha dhe lëvizja e mjeteve është shumë e vështirë.Rreth 4 vite më parë bashkia e Shkodrës I premtoi banorëve se kjo rrugë do të rikonstruktohet por premtimi mbeti në letër. Në këtë zonë janë rreth 2 kilometra rrugë që ndërhyrje sado të vogla do t’u vinin në ndihmë banorëve.

Pavarësisht se gjatë fushatave elektorale ka patur shumë premtime për rikonstruktimin e rrugës, deri tashmë asgjë nuk është konkretizuar. Si pasojë e këtij amortizimi total, ata që e kanë më të vështirë janë drejtuesit e mjeteve.Janë afro 100 familje që kalojnë çdo ditë në atë aks rrugor të amortizuar duke patur vështirësi.Nga ana tjetër përroi që kalon aty pranë ka qënë një tjetër shkaktar që ka krijuar amortizim të rrugës në kohën kur fryhet nga ujërat e shiut gjatë dimrit.

Në gjithë gjatësinë e saj, rruga ka gropa të mëdha duke e bërë pothuajse të pamundur kalimin nga mjetet motorike.Një situatë kjo e përsëritur vit pas viti dhe që nuk po gjen zgjidhje. Situata rëndohet më shumë në stinën e dimrit kur rruga mbushet me ujë dhe bëhet thuajse e pakalueshme për fëmijët që duan të shkojnë në shkollë. Aksi tejet i amortizuar që lidh këtë zonë me qytetin nuk ka njohur asnjë investim.