Doli papritur nga radha, ku njerëzit presin për orë të tëra dhe tentoi të prekte arkëmortin e mbretrëreshës Elizabetë, duke shokuar personat rreth e rrotull e duke i bërë dhe vetes një dëm të madh, pasi për këtë arsye, përfundoi në prangat e policisë.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, përpara syve të dhjetëra njerëzve që prisnin t`i bënin monarkes nderimet e tyre të fundit.

Burri papritur, thjesht doli nga rrjeshti, ngjiti shkallët e preku arkivolin përpara se rojet t`i hidheshin sipër e ta shtrinin në tokë. Paskësaj, shkaktari i rrëmujës u dërgua në paraburgim.

Ky ishte i dyti incident që ndodh para arkivolit të Mbretëreshës. Më herët të premten, një burrë u akuzua se kishte sulmuar seksualisht dy gra që prisnin në një radhë për t`i bërë asaj homazhe. Prania policiore është shtuar ndjeshëm në të gjithë Londrën ku turma gjigande njerëzish kanë vërshuar të nderojnë Elizabetën e dytë që ndërroi jetë javën e kaluar në moshën 96-vjeçare, pas një mbretërimi 7 dekadësh.

Rreth 7.5 milionë euro janë shpenzuar për forcimin e sigurisë për ceremonitë funebre të monarkes. Funerali i saj mendohet se do të kthehet në ngjarjen më të shtrenjtë shtetërore britanike të kohëve moderne, duke kapërcyer 9.2 milionë eurot, edhe pse kjo shifër ende nuk është konfirmuar.

Top Channel