“Bomba uji” mbi Shkodër / Sinoptikani grek Arnautoglu parashikon stuhi dhe përmbytje nesër

Meteorologu i njohur grek, Sakis Arnaoutoglou, që ndjek me vëmendje dhe përkushtim edhe motin në Shqipëri e rajon, parashikon një përkeqësim të ri të kohës ditën e premte dhe kryesisht të shtunën në një pjesë të madhe të vendit, në zonat qendrore fillimisht, por më pas me reshje të dendura shiu dhe stuhi të fuqishme në ato veriperëndimore dhe veriore.

“Zonat në perëndim të Gadishullit të Ballkanit pritet të pranojnë shumë reshje shiu, veçanërisht disa qytete e fshatra në Mal të Zi dhe në Shqipëri, nuk përjashtohet që të përballen me probleme për shkak të këtyre reshjeve të dendura në 24 deri në 48 orët e ardhshme”,-tha Sakis Arnaoutoglou, sinoptikan ERT.

I pyetur nga TCH, ai ka shpjeguar përsëri se në epiqendër të kësaj vale disa orëshe të motit të keq do të jenë përsëri ato zona që u prekën edhe javën e kaluar dhe se reshjet e dendura të shiut do të regjistrohen përsëri në Shkodër, Kukës, Lezhë e zona të tjera veriore dhe veriperëndimore në kufi me Malin e Zi, ku mund të shkaktojnë edhe njëherë përmbytje.

“Shikoni këtu edhe nuancat më të errëta në rajonet e Ballkanit Perëndimor nga Shqipëria në Mal të Zi, nuk përjashtohet që siç ju thashë në fillim, fenomenet kohore të kenë një karakter intensiv dhe të krijojnë probleme atje, nga e premtja në mëngjes deri në mesditën e së shtunës,”- tha ai.

Arnaoutoglou që ka parashikuar me saktësi shumë herë përmbytjet në Shqipëri, dhe me një rreth të madh ndjekësish shqiptarë edhe ne llogaritë e tij në mediat sociale, thekson se shirat do të shoqërohen me stuhi dhe vetëtima, ndërsa do të ketë ulje të temperaturës. Moti sipas tij do të bëhet shumë i paqëndrueshëm edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, kryesisht pas mesditës së të shtunës me shira, por edhe stuhi lokale të fuqishme. Përmirësim do të kemi të dielën dhe të hënën, por nuk përjashtohet që të martën e ardhshme, në 20 shtator të regjistrohen sërish në disa orë të ditës shira dhe stuhi lokale./TopChannel