Gjuhadoli është njëra nga rrugët më të gjalla të Shkodrës. Festat ndjekin njëra-tjetrën në të gjithë gjatësinë e saj dhe këto shoqërohen me muzikë live duke u shndërruar në “rrugën e festave” pothuajse çdo mbrëmje, ku nuk mungojnë personazhet e njohur si të ftuar, për të gjallëruar më shumë këto netë.

Jurgen Hakani është me origjinë nga Durrësi por ka vite që jeton në Itali. Ai është bartender dhe është një nga më të famshmit në rrjetet sociale madje ai së fundmi ka botuar edhe një libër në këtë fushë ndërsa po përgatit disa nga koktejlet më të mira, çka tërheq vëmendjen e të pranishmëve me lëvizjet e tij dhe kombinimet që ai bën.

Atmosferën e krijuar në rrugën e Gjuhadolit, bartenderi i talentuar e krahason me qytetet europiane.Gjuhadoli përveçse një nga rrugët më të vjetra të qytetit nga ku kanë dalë emra të shquar artistësh dhe që i përket zonës muzeale të Shkodrës, ajo mund të konsiderohet edhe si një nga rrugët më me atmosferë dhe që tërheq jo vetëm shkodranët por edhe turistët e shumtë që vizitojnë qytetin.