Një natë e paharrueshme do të mbetet ajo e mbrëmshmja për artistin e ri shkodran të këngës popullore, Klinsman Llazanin, kjo për shkakun se kishte recitalin e parë në karrierën e tij e për më tepër në një skenë me peshë si ajo e teatrit “Migjeni”.

Me një publik të shumtë në numër, këngëtari shkodran e ndezi atmosferën teksa këndoi disa nga këngët më të bukura shkodrane si dhe ato të repertorit të tij origjinal duke elektrizuar sallën e teatrit “Migjeni”. brenda sallës.

Recitalin e artistit Klinsman Llazani e përshëndetën përmes videomesazheve emra të njohur të muzikës shkodrane dhe jo vetëm si Zef Çoba, njëkohësisht edhe mësuesi i tij i parë në muzikë kur ai ishte 6 vjeç gjithashtu edhe të tjerë si Zija Vukaj, Bardhyl Hysa, Adnan Bala ndërsa në skenë nuk munguan duetet me Orjeta Kelaj dhe këngëtarin nga Gjakova Edi Furra. Pjesë e recitalit ishte edhe aktori i humorit, Mjeshtri i Madh Besnik Çinari i cili shkaktoi të qeshura pafund në interpretim me aktorët e rinj Fritz Selmanin dhe Lusi Bregun.

Në përfundim të koncertit, disa nga protagonistët e skenës me në krye këngëtarin Klinsman Llazani përshkruajnë emocionet e bukura që dhuroi kjo natë.


Koncerti recital i artistit shkodran ishte i pari në karrierën e tij muzikore ndërsa ai do të zhvillohet edhe sonte sërish në teatrin “Migjeni”.