Myftinia e Shkodrës përmes një postimi në rrjete sociale ka dhënë lajmin e shumëpritur për nisjen e projektit restaurues dhe sistemit mbrojtës nga përmbytjet e Xhamisë së Plumbit.

Nisja e punimeve pritet të fillojë ditën e nesërme me 9 Shtator  ku dhe pritet të jetë prezente ministrja e kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti njofton Myftinia e Shkodrës. Siç mësohet, inxhinierët kanë kryer  studimin e shtresave të tokës, si dhe argjinaturave mbrojtëse duke qenë se xhamia çdo vit është gjendur nën pushtetin e ujërave, sa herë që Drini e Kiri dilnin nga shtrati. Xhamia e Plumbit ka qenë një ndër objektet më të vizitueshme në qytetin e Shkodrës teksa prej vitesh arriti t’i rezistojë përmbytjeve të vazhdueshme. Vizitorët nuk i munguan as sot një ditë para fillimit të punimeve.

Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes në mes qeverisë shqiptare dhe qeverisë turke për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë, është zhvilluar në Ankara, në janar të vitit 2021 në prani të presidentit Erdogan dhe kryeministrit Rama, gjatë vizitës së këtij të fundit me disa ministra në kryeqytetin e Turqisë.

Qeveria turke ka dhënë një fond prej 6 milionë eurosh për rikonstruksionin e Xhamisë së Plumbit në qytetin e Shkodrës. Xhamia e Plumbit ose Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit është një xhami historike dhe monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër.