Miliona shkruajne poezi, por Reshpja ishte poet

“Abiit, excessit, evasit, erupit” – (Doli, iku, u largua, u zhduk). Ky lokucion latin mbahet i famshëm për gradacionin e sinonimeve. Kështu ndodhi me jetën e njeriut dhe poetit Frederik Rreshpja. Atij i mungonte “amor sui” – (dashuria e vetvetes).

Si askush, Frederik Rreshpja nuk çau kokën dhe e trajtoi me mospërfillje jetën e tij. Një shpërdorim i dhimbshëm, një mospërfillje mbresëlënëse. Jeta e tij e ngatërruar dhe e trazuar, gati nuk mund të përshkruhet. Megjithatë ai lindi krejt ndryshe nga të tjerët, sepse ishte po aq krejt ndryshe. Të gjithë shkruajnë poezi, por ai ishte poet. Bota është e mbushur me “actia mortalia” – (veprime, punë të njerëzve të vdekshëm). Miliona njerëz nuk e kanë shpërdoruar jetën e tyre, nuk janë mbërthyer nga kotësia, pra kanë qenë normale.

Frederik Rreshpja lindi për të qenë një përjashtim. Substanca e jetës se tij, nuk përcaktohej nga frymëmarrja, as nga veprimet e marrëzishme, as nga normaliteti i zakonshëm. Ai ishte njeriu me një aparat ndjesish të pazakonte dhe dinte të krijonte një poezi të pazakontë. Nga kjo pikëpamje, ai është shumë herë më i rëndësishëm dhe shumë herë me i pazëvendësueshëm se të gjithë vdekatarët e zakonshëm.

POETI NË SHKRETËTIRË

Absurditetet pa asnjë mesazh për TV-të e botës.
Rrallë ndonjë re, arratisur nga kopeja e reve
Ikën e hutuar nga peizazhi arabik.

Ai rri aty me kokën në duart e shkretëtirës.
U bën me dorë avionëve.
Pret një dallëndyshe që s’ka për të ardhur kurrë./Hejza