Rita Ora ka dhuruar një koncert madhështor sonte në sheshin ‘Skënderbej’. Këngëtarja shqiptare me famë botërore ishte veshur me flamurin kuqezi dhe performancën e nisi me këngën ‘Ritual’, të cilën e ka në bashkëpunim me DJ Tiesto. Para dhjetëra qytetarëve që ishin mbledhur për të ndjekur koncertin e saj foli në gjuhën shqipe duke thënë: “Do të shijoj çdo minutë të këtij koncerti. Ju falenderoj që keni dalë nga shtëpia sonte për të më ndjekur”.

Pak minuta para se të dilte në skenë, bëri një postim në Instagram ku bëri thirrje që të gjithë të shkonin atje.

“Është dita e spektaklit! Ky udhëtim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mezi po pres për sonte! Sigurohuni që të vini shpejt në sheshin “Skënderbej” për të parë të gjitha artistet femra që do të performojnë sonte! Shihemi më vonë”, shkroi Rita.

Gjatë performancës, Rita Ora kërceu vallen e Tropojës me muzikën e valles në sfond, ndërsa dha mesazhin se “Nuk do ju zhgënjej kurrë”.

Në koncertin që nisi prej orës 20:00 performuan edhe këngëtarë si Semi Jaupaj, Ronela Hajati, Kida dhe Efi Gjika. Këngëtarja Rita Ora zgjodhi që të merrnin pjesë vetëm vajza dhe gra. Në rikthimin për të tretën herë në Shqipëri në kuadër të Javës Kulturore Britanike, Rita tha se i është mirënjohës këtij vendi, pavarësisht se fillimet e saj nuk kanë qenë të lehta.

Në daljet publike këngëtarja që ishte e shoqëruar prindërit, u shpreh se dashurinë për Shqipërinë, traditat, gjuhën e deri edhe ushqimin e ka të kultivuar prej tyre. Pasi u dekorua me titullin “Naim Frashëri”, nga presidenti Bajram Begaj, artistja tha se ç’do të thotë për të ky titull, dhe vetë figura e Naim Frashërit.

“Titulli është një vlerësim shumë i madh. Nuk mund ta besoj që emri im të jetë përkrah një emri të madh historik. Dhe kjo ishte një surprizë shumë e madhe për mua. Më bën të ndihem krenare dhe falënderuese për një mirënjohje të tillë”, u shpreh Rita Ora.

Në pritje të albumit të ri që do të publikohet në janarin e vitit të ardhshëm, la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të tjerë artistë shqiptarë. Megjithatë rrëfeu se kapitulli i radhës për të, do të jetë i përqedruar tek kinematografia, por nuk dha detaje se në cilin film do ta shohim. Ndërsa sa i përket martesës së saj me regjisorin Taika Waititi, nuk jep shumë detaje, por as nuk e fsheh lumturinë.