“Një dorë e mistershme ka shpëtuar nga djegia e dosjes atë që duhet për ta demaskuar” ky është e-maili anonim që vuri në lëvizje Autoritetin e Dosjeve për Metën

Zbardhet e-maili anonim i mbërritur në Autoritetin e Dosjeve të Sigurimit më 25 korrik për Ilir Metën.

Ka qenë vetë kreu i Partisë së Lirisë që e ka bërë publik mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24, teksa “BalkanWeb” e ka zbardhur të plotë mesazhin e letrës që nis me Washington dhe përfundon me VFLP.

Ndër të tjera, mesazhdërguesi shkruan se “mbase Edvini e ka ditur nga amerikanët faktin e dosjes së zhdukur me kohë prandaj nuk e ka çarë kokën”.

Sipas e-mailit, “një dorë e ‘mistershme’ paska shpëtuar nga djegia e dosjes atë që duhet për ta demaskuar përgjithmonë këtë turp të Shqipërisë.

E-MAILI I PLOTË

Washington DC 24 korrik 2022

I nderuar Autoritet i Dosjeve! Denoncojmë se kemi dijeni se dosja e sigurimit të xhambazi Ilir Rexhep META nuk është zhdukur e gjitha. Me ndihmën e Sali Ram BERISHËS (i cili zhduku me bekimin e Ramiz ALISË dosjen e gruas së tij serbe) dhjetoristi i infiltruar Ilir META zhduku dosjen e tij. Këtë, ti Autoritet i nderuar mund ta vërtetosh, nëse nuk je komplet i kapur nga Katovica dhe nga paratë e zeza të Ilir Floririt.

Ne dimë që ky kameleon i të gjitha kohërave dhe zullumeve ia ka marrë Edvin Kristaq Ramës në marrëveshjen e koalicionit, kompetencën për zgjedhjet e Autoritetit të Dosjeve. Mbase Edvini e ka ditur nga amerikanët faktin e dosjes së zhdukur me kohë prandaj nuk e ka çarë kokën…(po amerikanët askujt nuk ia thonë të tëra dhe kush s’di këtë s’di nga lidhet gomari i politikës).

Vetëm për të kontrolluar ty i nderuar Autoritet, Like Floriri kishte infiltruar në grupin e deputetëve të Rilindjes shokun Spartak Braho, dora e zezë e hetuesisë komuniste që çoi në botën tjetër Dritan Priftin. Megjithëse e kishte zhdukur dosjen, Iliri donte të kishte kontroll të plotë mbi çdo lëvizje brenda Autoritetit. Ky është një fenomen i njohur në botën e krimit. Krimineli nuk e harron kurrë vendin e krimit.

Po ja që një dorë e “mistershme” paska shpëtuar nga djegia e dosjes atë që duhet për ta demaskuar përgjithmonë këtë turp të Shqipërisë. Nuk u duhet të mundoheni shumë i nderuar Autoritet!

Mjafton të drejtoheni në raftin e duhur ku keni të shkretin Filip Talo, viktima e shokut të shkollës Ilir Meta! Aty do të gjeni si studenti i Ekonomikut, spiuni i dhjetorit, Ilir Meta pajisej nga Sigurimi i Shtetit me përgjues në trup për të marrë në qafë shokët e tij.

Ne ju japim vetëm 24 orë për të zbatuar ligjin dhe për të mbrojtur Dinjitetin e Autoritetit të Dosjeve!
Tregojani shqiptarëve të vërtetën mbi kryexhambazin Ilir Rexhep Meta ose do të turpëroheni botërisht. Tani që iku nga Presidenca nuk ju bllokon dot me ndonjë nga ato makinacionet e tij prej sigurimsi të rrahur me vajin e korrupsionit dhe me uthullën e krimit.

Nëse pastaj ti Autoritet je i kapur për fyti nga Like Floriri siç u kap Shqipëria 30 vjet, shqiptarët do të gjykojnë vetë kur ne të bëjmë punën që ligji e kërkon nga juve. Në pritje. Numërimi filloi.

VF-LP (Vdekje Fashizmit – Liri Popullit)