“Shkodra Jazz Festival” dhuroi dy mbrëmje të bukura nën ritmet e muzikës jazz përgjatë fundjavës teksa shënoi edhe fundin e këtij edicioni të XIII të tij. Ndërsa mbrëmja e së shtunës ngjiti në skenë fillimisht kuartetin italian të Alberto Mandarini-t ndërsa pas rreth një ore performancë instrumentale, ishte momenti i artistes britanike nga Birmingham Eileina Dennis, e cila ngrohu publikun me interpretimet e saj. Në fund të mbrëmjes artistja u shpreh e lumtur që pati mundësi të rikthehet sërish në Shkodër.

Edhe organizatori kryesor dhe njëkohësisht drejtori artistik i festivalit, Florian Jakaj tregon se ky edicion i përmbushi pritshmëritë duke sjellë edhe risi me vete.

Për moderatoren shkodrane Renata Dragusha, ky festival e riktheu në skenë në rolin e prezantues, ndaj do të mbetet i veçantë për të.

Po aq e bukur ishte edhe mbrëmja e së dielës, përndryshe nata e fundit e këtij edicioni të festivalit. Kjo natë solli për herë të parë edhe kategorinë junior ndërsa u mbyll me muzikë klasike në shtëpinë muze “Oso Kuka”.