Muhamet Rrumbullaku është emri përfundimtar që do marrë drejtimin e trupës policore pas largimit konfliktual të ish-drejtorit Gledis Nano. Burime për Dosja bëjnë me dije se Rrumbullaku ka pranuar postin e propozuar nga qeveria për të drejtuar Policinë e Shtetit, pas një hezitimi që ka patur disa ditë më parë, kur iu bë propozimi.

Rrumbullaku pritet të marrë detyrën të mërkurën e ardhshme pasi të bëhet zyrtarizimi dhe betimi. Rrumbullaku është një drejtues i lartë në Policinë e Shtetit me një eksperiencë të gjatë në drejtimin e disa sektorëve kyç në Polici. Me largimin e Rrumbullakut mbetet bosh posti drejtues në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore por ende nuk dihet se kush do të jetë pasuesi?

Si erdhi Muhamet Rrumbullaku në krye të PSH? Dosja zbuloi që të hënën atë që ishte duke ndodhur në Policinë e Shtetit. Drejtorit aktual, Gledis Nano, iu kërkua të jepte dorëheqjen dhe përmes një procedure pa zhurme do të bëhej kalimi i detyrës mes tij dhe Rrumbullakut. Por çuditërisht, ndryshe nga paraardhësit e tij, Nano nuk pranoi. Këmbëngulja e tij i la radhën një shkarkimi ku ministri i Brendshëm e bëri sot përgjegjës për disa ngjarje, përfshirë zhdukjen e Ervis Martinajt dhe ngjarjen e Himarës. Kabineti e shkarkoi Nanon pas 10 muajve qendrim në detyrë dhe një “lobimi” të fortë nga Ambasada Amerikane. Tashmë mbetet për tu parë se cili do të jetë rrugëtimi i Rrumbullakut në krye të Policisë së Shtetit.