Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Çuçi tha se Nano nuk i përmbyshi objektivat që i ishin ngarkuar, lëvizje që u lajmërua më herët nga Dosja.al.

I pyetur nëse ndjente përgjegjësi për mosluftimin e krimit të organizuar, një detyrë që nuk është vetëm në dorën e Policisë së Shtetit, Çuçi tha se për momentin, e vetmja masë që është marrë, është zëvendësimi i Nanos.

Ai la të kuptohej se tragjedia e Potamit, ku ish-shefi i komisariatit të Himarës, Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdiaj dhe përfshirja e efektivëve të Policisë së Shtetit në krimin e organizuar janë dy gjërat që vulosën shkarkimin e Gledis Nanos si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për momentin nuk ka një emër për zëvendësuesin e tij dhe detyrat do t’i marrë përkohësisht në ngarkim nëndrejtori Tonin Vocaj.