Gjimnazi publik, laik në Shkodër, u hap me një vendim të Këshillit të Ministrave, 11 Gusht 1922. Një ngjarje me rëndësi të veçantë, si nevojë e kohës, në një qytet me tradita dhe me kontribute në fushën e Arsimit Kombëtar. Një veprim i vonuar, sepse shkollat e para shqipe ishin hapur në veri të Shqipërisë dhe në Shkodër 400 vjet më parë, sipas studimit të At Donat Kurtit (shkrimtar, etnolog, profesor, përkthyes, i persekutuar nga regjimi komunist, vdiq në varfëri duke lënë një pasuri të madhe

Visaret e Kombit” dhe fjalorin frazeologjik me 45000 fraza shqip) dhe sipas studimit të Amerikanit Edwin Jacques me titull “Historia e popullit Shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme. (Për dijeni, në veprën e shkruar të misionarit amerikan Edvin Zhak “The Albanias An Ethnik from Pre-Historic Times to the Present” përmendet Kolegji i Shën Savjerit me 400 studentë, ku merrnin arsim teknik dhe tregtar. Ishte një qendër shkencore jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt Ballkanin, pasi kishte të parin observator astronomik 1888, që shërbeu derisa u konfiskua nga komunistët me 1946. Gjithashtu theksohet Shtypshkronja e Shkodrës, disa vite pas shpikjes së Madhe të Gutenbergut, që gjallëroi jetën intelektuale në qytet, duke i dhënë shtysë lidhjeve të drejt për drejta me perendimin. Kështu, aty kishte një jetë intelektuale plot energji, ku përhapej kulturë.

Duke ditur këtë të kaluar të edukimit shkollor, po rritej presioni i opinionIt publik të qytetit që përfaqësohej nga një peticion prej 58 firmash, ku përmblidhte shtresa të ndryshme me kërkesën si domosdoshmëri për një shkollë shtetërore, laike për Shkodrën, për qytetin e kulturës së lashtë. Megjithëse përpara kësaj, kishte ndonjë shkollë shtetërore në qytet, siç ishte Shkolla e Parrucës, që e administronte Komisioni Arsimor i ngritur më 1913, pranë Bashkisë, i drejtuar nga personalitete të larta si Xhemal Naipi, Hafiz Ibrahim Repishti, Mustafa Kruja, At Gjergj Fishta, Hafiz Abaz Golemi, Gaspër Mikeli, Sheuqet Muka, Patër Anton dhe Mark Harapi… të cilët nxitën dhe u bënë promotorët kryesorë të hapjes së Gjimnazit shtetëror edhe pse një pjesë e tyre jepnin mësim në shkolla jo shtetërore, ata nuk hezituan të bashkonin vullnetin e tyre në këte moment historik


Në ndërtesën e shkollës, studentët hynë në klasat përkatëse me 5 Tetor 1922. Nxënësit vinin nga shkollat qytetëse, shkolla tregtare, gjimnazi Françeskan, nga medresetë… më vonë edhe nga Kosova, Ulqini e Çamëria. Në atë kohë kërkohej një drejtor me autoritet shkencor, për këte u propozue Maksimilian Lambertz… (Albanologu Lambertz,1882-1963), i cili për herë të parë dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e mësoi atë dhe nuk iu nda studimeve albanologjike, mbi folklorin, mitologjinë gjuhësinë, letërsinë historinë… deri sa vdiq. Përktheu gjermanisht Lahutën e Malcisë dhe për poetin e Madh shkruan

“Fishta është poeti më gjenial që deri më sot ka dhënë Shqipëria. Ai është Epiku më i madh i shekullit, Homeri Shqiptar dhe “Lahuta e Malcisë” Iljada Shqiptare


Në fakt Drejtori i parë i këtij Gjimnazi u emërue Prof. Xhevat Korça, (10 Janar 1893 – 27 Korrik 1959, student i Zosimeas dhe Universitetit të Vjenës për Filozofi dega Histori, Ministër Arsimi në Qeverinë e Mustafa Krujës, vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, viktimë e diktaturës komuniste.


Në vitin e dytë shkollor të gjimnazit drejtor ishte Prof. Mirash Ivanaj
12 Mars 1891 22 shtator 1953 origjinë nga Trieshi i Malësisë Madhe. Pasi vazhdoi Gjimnazin Klasik në Pozharovac Beograd, studimet e larta i mori në Universitetin e Romës, ku u laurua në dy degë, Filozofi-Letërsi dhe Jurisprudencë. Ishte publicist, jurist, arsimtar e drejtor, Ministër Arsimi me një kontribut të vyer në politikën arsimore, me të ashtuquajturën “Reforma Ivanaj” Vdiq në burg, pak përpara se ta plotësonte dënimin.Në këtë Gjimnaz të Shtetit, një Institut i mesëm i teknikës arsimore, ushtruan profesionin një trupë mësuesish patriotë të përgatitur në Universitet e Evropës, të cilët zbatuan programet më efikase të një sistemi shkollor më të përparuar të kohës. Të parët ishin Prof. Kolë Kamsi, Simon Rrota, Ndue Paluca, Ruhi Zeka, Luigj Shala,…..(më vonë ndër vite në këtë gjimnaz u emëruan shumë Personalitete të shquara, si Aleksandër Xhuvani, Skender Luarasi, Eqrem Çabej, Mustafa Demiri)… Mësuesit punuan me programin e gjimnazeve franceze të pranuar nga Kongresi Arsimor 1922.

Ndër figurat më të spikatura që hyri thellë në memorjen e shkodranëve dhe më vonë të gjithë shqiptarëve ishte Prof. Dr. Mirash Ivanaj. Mjaftuan vitet e para të veprimtarisë padagogjike të Ivanajt, në qytetin e lashtë të kulturës, për të konturuar në shembëlltyrën e mësuesit, edukatorit, drejtuesit dhe organizatorit me dije të shumanëshme të thella të qëndrueshme dhe aktive. Si drejtor i gjimnazit. Ivanaj në zbatimin origjinal të programit shkencor e pedagogjik për formimin kulturor të nxënësve, kërkonte vendosjen e çdo shkence mbi themele shqiptare, që përparimi i shkollës të ishte në dobi të zhvillimit të vendit. Shumë e rëndësishme për Ivanajn ishte zhdukja e ndasive fetare, krahinore, që propogandat e huaja ndër shekuj kishin helmue mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve. Ai mbronte idenë se shkolla, do të hapi horizonte të reja me studimin e shkencave, sidomos të matematikës.
Bashkëpunimi im me Drita Ivanaj, mbesa e Zotni Mirashit, siç e thërriste im atë mësuesin e tij, më ka ofruar me njohjen e dokumentacionit përkatës të familjes Ivanaj.
Drita më autorizoj duke më dhanë të drejtën të hulumtoja në Arkivin e shtetit, në bibliotekat shtetërore,dhe së fundmi edhe në dosjen e burgut të Mirash Ivanajt, e tërhequr prej saj këto kohët e fundit. Një studimi të dokumentuar ia kam kushtuar shkrimin e mëposhtëm. Idetë Mirashiane për reformimin e shkollës kombëtare të cilat i kishte zbatuar në Gjimnazin e Shkodrës.


Ivanaj ishte shumë i vëmendshëm për të ruajtur strukturën e shkollës si gjimnaz dy degësh, klasik e real, u përpoq që shkolla t’i përshtatej nevojave të nivelit të përgjithshëm të vendit dhe e gëzoi pa masë maturën e parë të degës reale, që nxori mësuesit e rinj për të cilët kishte shumë nevojë Shqipëria. (Ata ishin Rexhep Bërdica, Qamil Golemi, Jahja Domnori, Refik Shpuza, Xhemal Lopçi, Ahmet Ashikja, siç shkruante bashkëvuajtësi i tij Prof. Lazër Radi, për këte grup, për të cilin Ivanaj ishte shprehur: “Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës që edhe sot i kujtoj me respekt.


Por, si drejtues, Ivanaj, nuk u kufizua vetëm me student brenda kufijëve të cunguar të Shqipërisë, por u kujdes gjithashtu të tërhiqte sa më shumë nxënës nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve shtetërorë, që nepërmjet tyre të shpërndahej dituria në gjuhën shqipe.
Duke i kushtue vëmendje organizimit dhe drejtimit të shkollës, pati kujdes për të afrue e vëllaznue nxënësit me besime të ndryshme e zakone krahinore.Themeloi shoqatën “Besa” me nxënës të gjimnazit, ku kërkoi të nxirrej një e përkohshme nga vetë shoqata. Bëri çmos të krijonte një fanfarë të vogël dhe korin me nxënës të talentuar. Duke e parë në mënyrë të veçantë edhe landën e muzikës që “Asht mjeti ma efektiv për dëfrimin dhe naltësimin e shpirtit të nxanësve


Gjithashtu për zhvillimin e sporteve, përveç futbollit i dha prioritet edhe sporteve të tjera për të cilët investonte edhe nga paratë e veta, sidomos për uniformat sportive, kur nuk mundësohej nga ministria.Vlen për t’u përmendur se kur mori postin e Ministrit të Arsimit, bashkëpunoi ngusht me Dr. Vasfi Samimin dhe e realizoi përkushtimin e tij për Themelimin e Kombëtares së Futbollit të Shqipërisë në vitin 1934. Qëllimi kryesor ishte të kultivonte identitetin kombëtar dhe përkatësinë kulturore për një arsim cilësor gjithëpërfshirës në zhvillimin intelektual, etik, fizik, estetik dhe social. Dr. Vasfi Samimi Visoka,(1905-1981) veteriner, shkencëtar biolog, futbollisti shqiptar i Fenerbaçes, themelues i Kombëtares së Futbollit Shqiptar, krjoi të parin laborator biologjik me Dr. Bilal Golemin, mësues në Shkollën e Mesme Veterinare Shkodër, Profesor në UBT, shkrimtar, publicist, përkthyes… I dënuar në Gjyqin Special për veprën Atdhetare “Nëna Kosovë”


E këto shtylla të forta të vendosura që në themelet e viteve të para të gjimnazit të shtetit i rezistuan kohërave dhe në vazhdimësi u ruajt struktura e mësimdhënies edhe në periudhat më të vështira të persekutimit të mësuesve dhe studentëve, qytetarë të ndershëm, me shpirt të lirë për demokraci dhe bashkim kombëtar. Kam pasë fatin që të isha nxënëse në dy shkollat e mesme si dy degë të Gjimnazit të shtetit: Dy vitet e para të shkollës së mesme t’i kaloja në Gjimnazin 28 Nëntori, ku nuk mund të harroj mësuesit e mi të nderuar, Kadrie Kopliku, Gema Tirana, Zyhdi Zekja, Drita Shundi Siliqi, Urti Osmani… Dhe dy vitet e dyta në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” me mësues Safet Hoxha, Eqrem Rusi, Simon Rrota, Leonard Deda, Abdyl Kajanaku, Gani Daiu, Shefik Osmani, Arta Frania Për secilin mësues të lartpërmendur mund të shkruhen faqe të tëra respekti

Ndërsa ndër më të rinjtë që kam njohur si vazhdues i traditës më të mirë dhe ithtarë i Prof. M Ivanajt mund të shquaj, ish-nxënësin dhe mësuesin e këtij Gjimnazi, Ahmet Boriçi, mbaruar për matematikë me 1972. Si didakt dhe botues tekstesh vazhdon të kontribojë në këtë drejtim. Ai ka një veprimtari të dendur si hartues tekstesh shkollore mbi 27 botime të ndryshme… nuk është rastësi për metodistin A. Boriçi të ketë këtë ecuri. I edukuar në një familje mësuesish dhe vazhdues i paraardhësit tij të mirënjohur, Daut Efendi Boriçi, për botimin në Stamboll 1861 të Abetares Shqip, si dhe për dorëshkrimin e një gramatike shqip dhe fjalori osmanisht- shqip, duke mbetur një shembull i lartë në historinë e arsimit shqiptarë (Daut Efendi Boriçi, si student i suksesshëm i gjimnazit Zosimea të Janinës dhe i Stambollit, u përzgjodh nga Mustafa Pasha, kur ishte në Stamboll, si mësues privat për djalin e tij. Kur u kthye në Shkodër e ushtroi profesionin e mësuesit në Ruzhdijën e Pazarit. Ishte hartues peticionesh dërguar Kongresit të Berlinit, si kryetar i degës së Lidhjes Prizrenit, Shkodër. (Ka mbetur i përmendur për fjalimin në ceremoninë e hedhjes se themeleve të Kishës Madhe, me 1858.


Duke i dhënë prioritet punës organizative, mësimore edukative të Ivanajt, shembulli i të cilit ka vlera të patjetërsueshme edhe për Arsimin sot e nesër, mendova ta zgjeroj se si u konkretizue përvoja e Ivanajt në Gjimnazin e Shkodrës, për të refomuar arsimin në shkallë kombëtare, kur mori postin e Ministrit të Arsimit.


Prof. Mirash Ivanaj, Ideator Dhe Reformator i Shkollës Kombëtare Shqiptare


Dr. Mirash Ivanaj, si vazhdues i denjë i mendimit iluminist të rilindasve, por tashmë në kushte të reja të vendit dhe brenda tij, bëhet ideatori i shkollës shqiptare. Ai përpunon drejtimin modern të saj sipas shëmbëlltyrës së sistemit arsimor bashkëkohor oksidental, duke ruajtur me xhelozi veçantitë kombëtare. Shkollën e shihte si vatër kryesore të përparimit të përgjithshëm të popullit tonë, me të cilën duhen luftuar dhe mposhtur synimet arsimore të armiqve në çdo kohë dhe kërkonte arsim të detyruar e falas për të gjithë shqiptarët meshkuj e femra,
“Jeta moderne e shteteve – pohonte Dr. Ivanaj para parlamentit shqiptar, – ka pru me vedi nji mënyrë pushtimi tjetër, qi asht robnija mendore, vorfnia morale, me të cilin shkatërrohen shtetet ma të fortat, racat ma konservative.


Kësaj mënyre të kadalshme shkatërrimi, me të cilën krijohen njëri mbas tjetrit brezat gjithnjë ma të dobët e shkatrrues traditash të popullit të vet, kësaj mënyre të sigurt vdekjeje të një kombi, mund t’i kundërvihet një rezistencë vetëm me një armë të ngjashme, e kjo asht bashkimi kombëtar, asht edukata kombëtare e bazueme mbi gjuhë, mbi burrni, mbi traditat e përbashkëta, mbi interesat e përgjithshme të popullit…”,
Gjimnazi shtetëror 1922, në vitin e dytë të jetës së tij pati si drejtor, Dr. Mirash Ivanajn, u shque si organizator dhe drejtues që rëndësinë më të madhe ia kushtoi disiplinës në punë mësues-nxënës

Polemikën dhe luftën ndaj synimeve regresive e shovene të përfaqësuesve të këtyre forcave në rrafshin e arsimit, Dr. Ivanaj do ta zhvillojë nën dy ideale të mëdha: atë të atdheut e bashkimit kombëtar dhe të dijes, të progresit, gjithnjë duke qenë vetë një besimtar i devotshëm i fesë, por jo fanatik e rob i saj, gjëra këto, të cilat ai i shpreh aq qartë dhe vërtetësisht kur thotë: “Tue qenë patriot nuk don me thanë me qenë antifetarë, përkundrazi: për ne kush nuk don, a se ja mbrapshton çdo sendit kombësinë e atdheun e vet, nuk e don Zotin, nuk mund të jetë në zemrën e vet fetar

, Por, si iluminist, i vetëdijshëm për vlerat e dijës e të shkencës në përparimin e shoqërisë njerëzore, ngrihet kundër dogmave mesjetare të fesë, mbi të cilat vazhdonte ta ndërtonte punën shkolla klerikale në Shqipërinë e asaj kohe si dhe tendencës për ta monopolizuar kleri shkollën në Shqipëri, kundër venies së interesave fetare mbi ato atdhetare, çka ishte kapërcyer me kohë në vendet e përparuara, prandaj kërkon ndarjen e shkollës prej besimit: “Këtë gjasend e dijnë aq mirë në oksident, sa vetëm kur u lirue mendimi prej vargojve të fesë, ky mendim mujti me mbërritë ndër maja ma të nalta pa e damtue aspak fenë, e cila sot s’ka nevojë për me i shti në veprim ato mjete antinjerëzore (si zjarrin e hekurin) për me i plotësue mësimet e katekizmit sikur bante në kohën e mesjetës


Ai është i vetëdijshëm se qëllimi i shkollës në një shtet modern nuk është kundërshtimi i fesë, siç e propagandonte idenë reformiste të Ivanajt kleri i të tri feve. Por, nisur nga kushtet konkrete të vendit tonë, Dr. Ivanaj shpjegon: “Shqyptarët sot janë tri fenash te papajtueshme njena me tjetrën, janë tri viza qi tue u nis nga tri vende të ndryshme, shpërndahen pa shpnesë, qi të përpiqen kurrë dhe kurkund ma.

E këta, sepse ato janë të shenjueme prej influencave dhe prej parimeve ndërmjet vedit të papajtueshme, Çfarë do të jetë kjo pikë, në të cillën tri hise të një populli, qi flasin nji gjuhë, dhe e kanë nji kalesë të vetme dhe të vetmen dëshirë të sotmen dhe të nesërmen, – do të bashkohen si anët e nji piramide


S’ka dyshim: asht ndiesia kombëtare, qi asht e fortë dhe ma e shejtnueshme prej fenave, sepse ajo asht një e vetmja për të gjith popujt historik…
Kjo ndiesi zhvillohet e përmirësohet por s’ndërrohet… Ndiesia atdhetare do me thanë pika me të cilën bashkohen ndiesinat e gjithë një populli, s’mund të formohet veçse me një shkollë krejt të lirë prej çfarëdo dogme qi nuk a shkencore, prej çfardo turbullimi shpirtnuer, prej çfardo mbrapshtijes qi në një mënyrë a tjetër mundohet të zaptojë shpirtin”.


Duke e kuptuar reformën si domosdoshmëri, si shprehje të ndryshimeve të gjera e të thella që duheshin bërë në lëmin e arsimit shqiptar, Dr. Ivanaj punoi për të projektuar dhe realizuar tërësinë e problemeve që kishte shkolla shqiptare në vitet ’20-’30, për t’i dhënë asaj orientimin bashkëkohor, pa pranuar imitime e modele e shabllone e të papërshtatshme, të shkollave të huaja cilado qofshin.


Dr. Ivanaj do të luftojë për ta shtrirë shkollën në mbarë vendin, shkollën për djemët dhe vajzat e popullit shqiptar, për të realizuar praktikisht arsimin e detyruar fillor dhe falas, siç shprehet në nenin e parë të ligjit mbi shkollën: “Arsimi fillor për gjithë shtetasit shqyptar asht i detyrueshëm dhe jepet falë” e për hirë të së vërtetës duhet pranuar që, me gjithë dëshirën e mirë iluministe e qytetare të Mirash Ivanajt dhe përpjekjes së pandërprerë të masave popullore arsimdashëse të vendit që hapin shkolla fillore në shumicën e fshatrave, anë e kënd Shqipërisë, shumë herë të ngritura e të financuara nga vetë fshatarët, pati edhe shumë mangësi, mbyllje shkollash për paaftësi mbajtëse nga shteti, apo për mosplotësim të kushteve materiale e didaktike, për mungesë mësuesis etj. ,etj.

Kjo dhe të tjera qëndrime të qeverisë së kohës do ta zbehin realizimin praktik të reformës dhe Dr. Ivanaj me keqardhje do të shprehet: “Njoftoj rregulloren mbi shkolla minoritare private dhe shkresat përkatëse, të përgatitura prej meje, qysh me kohë, por shtoj se nuk do të jem unë ai qi do ta zbatojë këtë ndryshim, (M. Ivanaj 20 gusht 1935)


Që shkolla të ruaj fizionominë kombëtare, që të mos bie ajo pre e ndikimeve subjektive dhe e kopjimeve shabllone Dr. Ivanaj do të kujdeset që dokumentacioni bazë i saj të hartohet sa më shkencor, në përputhje me gjendjen konkrete të vendit, me nevojat që kishte Shqipëria aktualisht dhe në perspektivë, Ja si shprehej Ai për punën e komisionit hartues të projektit të reformës: “…Komisioni nji zani ka parapamë, – për shkaqe të shfaquna, – ndryshimin e sistemit të tanë shkollnuer të Shqipnisë, simbas nevojës së popullit, t’më kuptohet se me këto ndryshime do të ndryshohet edhe programa e landëve të ndryshme, sidomos të shkollave të mesme e mbase ky sistem dhe program do të ketë parasysh përgjithësisht gjendjen e Shqipnisë, besojmë se pa përcaktue ma parë programin përkatës, nuk mund të merren në kujdes dorëshkrimet e shkollave të jashtme të paraqitura deri sot, dhe jo të hartueme veçanërisht mbas nevojavet tona; komisioni mendon se disa landë mbesin në zhvillimin e tyne po ato në çdo sistem; ndërsa besojmë nji sistem rranjësisht mund të ndryshojë prej nji sistemi tjetër e sidomos sistemi i ardhshëm i Shqypnisë prej sistemit francez, si nga pikëpamja e gjanësisë së programes, ashtu nga pikëpamja e paraqitjes simbas klasës në të cilën do të lektohet mësimi

Një arsim i detyruar, i orientuar shkencërisht nga ai bashkëkohor evropian, shikohej nga Dr. Ivanaj si shtegu më i mundshëm që do ta çonte atdheun në rrugën e emancipimit, drejt Evropës, do ta vendoste atë krahas vendeve të zhvilluara.


Kujdesi i Dr. Ivanajt për shkollën e shtetit, për përmbajtjen e shëndoshë të arsimit, është shoqëruar vazhdimisht me kujdesin që tregonte për përgatitjen dhe kualifikimin e mësuesve kërkues dhe model, siç ishte vetë në fushën e mësuesisë, Ai do të kërkojë edhe nga mësuesit të jenë shembull në punën e tyre, të rrisin vazhdimisht dijet, të kualifikohen, duke i quajtur arsimtarët si forcë vendimtare që siguron: zbatimin e reformës arsimore. Ai punon t’i sigurojë mësuesit statusin, duke shprehur më saktë të drejtat dhe detyrat, kërkesën për ruajtjen e figurës morale e shoqërore të mësuesit, nevojën për ngritjen e vazhdueshme profesionale.


Në shërbim të kësaj ideje është përpjekja e tij për zgjerimin e shkollave normale edhe në qytetet e tjera të vendit, është interesimi për sigurimin dhe dhënien e bursave për normalistë e normaliste nga anë të ndryshme të vendit si dhe dërgimi për studime pedagogjike jashtë shtetit.
Kur Normalja e Elbasanit nuk i plotësonte nevojat e vendit për mësues të shkollës fillore, u aktivizuan edhe mësues me shkollë fillore qytetëse, pra pa arsimin e nevojshëm pedagogjik.


Puna e një pjese të madhe të këtyre mësuesve ishte e një niveli të ulët profesional, didaktik e shkencor, ndërkohë që Dr. Ivanaj shtronte kërkesën për përdorimin e metodave didaktike bashkëkohores. Kontradikta që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove thirri nevojën e domosdoshme të spastrimit të shkollës nga të paaftit dhe të pa përkushtuarit, duke futur ligjin e kategorizimit përmes testimit dhe kualifikimit të mësuesves si formë kualifikimi, veç konferencave mujore të mësuesve në bazë rrethi. Dr. Ivanaj i kushtoi rëndësi botimeve pedagogjike, forcimit të drejtimit të shkollës, ngritjes së bibliotekave pranë çdo shkolle etjerë


Lufta që bëri në qeveri Dr. Ivanaj për spastrimin e shkollës nga të paaftit, të futur në arsim me njohje e miqësi, puna për rishikimin e kritereve të dhënies së bursave për studime brenda dhe jashtë shtetit, duke vënë kufirin për familjet më të ardhura të mira ekonomike e që dërgonin pjestarë nga e njëjta familje, për t’i prerë rrugën abuzimeve e korrupsionit, do të jetë një anë e dallueshme e tendencës demokratike që kishte reforma arsimore që projektoi Dr. Ivanaj.


Duke e çmuar lart vlerën e edukimit të brezave të kombit përmes kulturës artistike, fizkulturës dhe sporteve, Dr. Ivanaj do të luftojë që shoqëria “Djelmnia shqiptare” të kalojë nën drejtimin e shtetit shqiptar, si pjesë e punës së tij, si pjesë e Ministrisë së Arsimit.


Këto dhe probleme të tjera të reformës që projektoi Dr. Ivanaj dhe miratoi Qeveria shqiptare prekën shumë interesa të kundërshtarëve dhe forcave regresive brenda e jashtë vendit, cënuan e kufizuan synimet antikombëtare të fqinjëve shovenë dhe përkrahësve të tyre, gjë që çoi deri në hedhjen e shtetit shqiptar në Gjyqin e Hages, më 2-6 prill 1935.


Duke e komentuar këtë akt armiqësor ndaj reformës arsimore dhe shtetit shqiptar, një gazetar i revistës “The near east and India” më 16 maj 1935 shkruan: “Mbasi kthimi i jem koincidojë me shpalljen e përfundimit të votimit të Hages, të parin objekt që gjej për ta përdorun asht: çështja e shkollave…” Lajmi i Hagës shkaktoi aq keqardhje në Shqipni, sa gëzime në Greqi. Kjo keqardhje gjeti shesh në shfaqjet e kryenaltësisë së prekun, në zemrimin kundra italianëve, urrejtje kundër grekofoneve të Shqipërisë dhe përbuzjen ndaj Zotit Ivanaj, ministër i Arsimit: – Po të ish Shqipëria aq e madhe sa Greqia, – pëshpëritej, – të drejtat e saj për të qenë e zonja e shtëpisë së vet, nuk do t’u merreshin në bisedim.


Votimi i kundërt i Hagës, komentohet këtu se ka qenë një votë italiane: “tue qenë se italianët janë mjaft të idhnuem për mbylljen e shkollave italiane dhe shkollave katolike në Shqipni, flitet se ata kanë qenë aq të fajshëm sa grekët e Greqisë në shkaktimin e turbullimeve ndër grekofonët e Shqipërisë dhe një votim armiqësor prej përfaqësuesit të Italisë në Hagë ishte një konkluzion i parapamë. Franca nga miqësia e re me Italinë, qe e detyrueme me ndjekë udhëheqjen italiane dhe shtetet e vegjël, që votuan kundër Shqipërisë janë në nji mënyrë ose tjetër nën zgjedhën e parmendës së Francës ose të Italisë. “Arkivi Kombëtar, fondi M.Ivanaj, dosja 225).
E pafuqishme për t’i qëndruar trysnisë dhe izolimit, qeveria shqiptare kapitulloi përpara gjyqit ndërkombëtar të Hagës.
Në një situatë të tillë Dr. Mirash Ivanaj e shikon të pamundur qëndrimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe kërkon dorëheqjen duke u shprehur kështu: “Mbasi konsideroj se interpretimi i dhanun prej meje zbatimit të ndryshimeve 206 e 207 të Statutit Themelor të Mbretnisë, ka mbështetjen e patundëshme si në të drejtën konstitucionale ashtu edhe në vetë Deklaratën Shqiptare para Shoqnisë së Kombeve më dt. 2.X.1921, e më anë tjetër, tue qenë i bindur se vetëm në shkollat e shtetit, pa as ma të voglin cënim, të së drejtave individuale ose kolektive, djelmnia jonë mund të edukohet si e tillë e të fitojë ndiesinë dhe ndërgjegjen kombëtare, moralin dhe disiplinën shtetërore me kuptimin e sakrificit për atdheun dhe mbretin, nuk mund të bashkohem me mendimin e shumicës së Këshillit Ministror e të pranoj çfardo ndryshimi në zbatimin e nenit 207 të Statutit të Mbretnisë


Për këtë arsye kam nderin të Ju paraqes dorëheqjen nga Dikasteri i Ministrisë.
Ndonëse qe e shkurtë karriera e Dr. Mirash Ivanajt si Ministër i Arsimit, ajo kohë qe e mjaftueshme për të dhënë të plotë e të gjithanshëm personalitetin e tij si reformator dhe organizator i arsimit kombëtar, Idetë e tij të shprehura qartë dhe guximshëm në fillimet e veprimtarisë së tij pedagogjike, po qartë dhe guximshëm u konkretizuen në reformën e vitit 1933, do të ishte ëndrra dhe përkushtimi i Dr. Ivanajt për një sistem arsimor demokratik e kombëtar në Shqipërinë e pasluftës ajo forcë tërheqëse që do ta sillte këtë atdhetar në vitin 1945 për ta çuar drejt në qelinë e burgut, nga ku nuk do të dilte më i gjallë.


Idetë kryesore të kësaj reforme të Dr. Mirash Ivanajt do të përshkojnë arsimin shqiptar në vitet e mëvonshme të ruejtura e të mbartura nga përfaqësuesit më të denjë të tij dhe do të na shfaqen sot e nesër të freskëta dha aktuale.