Boksieri Florian Marku gjatë fjalës së tij sot në ceremoninë e dhënies së titullit “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, ka kujtuar vitet e para të jetës dhe karrierës së tij.

Ai tha mes të tjerash se ka pasur një jetë jo të lehtë, dhe se vinte nga një familje jo e pasur.

Ai tregoi dhe fjalën që i dha nënës së tij kur punonte si pastruese, duke i thënë se pas disa vitesh ajo nuk do të ketë më nevojë të punojë, fjalë këto që kanë përlotur edhe bashkëshorten e Markut.

“Faleminderit kryeministrit, kryebashkiakut, dhe Taulant Ballës që na ka përkrahur. S’di na t’ia nis, por kjo për mua është një ëndërr që është bërë realitet. Në karrierën time kam qenë gjithmonë realist edhe ashtu do ngelem.

Familja ime nuk është e pasur, prindërit e mi kanë punë krahu, nëna ime ka punuar edhe pastruese në emigracion, por i kam thënë që sa të kalojnë disa vite t’i ske për të punuar kurrë dhe shyqyr Zotit ajo nuk ka nevojë të punojë më. Njerëzit mendojnë se është fat, por duhet punë e mund”, tha ai.

Ndërkohë që vështirësitë për Markun kanë vazhduar dhe në Britaninë e Madhe ku atij i ishte premtuar se do të kishte shtëpi, makinë dhe një palestër kur të stërvitej, gjë e cila nuk ndodhi, dhe atij i duhej të përpiqej shumë për të zhvilluar ndeshjen e tij të parë.

Përkrahja e madhe e shqiptarëve në sallat e boksit, bëri që ai të mund të garantonte mbështetje nga sponsorët.