Sanna Marin – kryeministrja e guximshme finlandeze – hyri në syrin e ciklonit mediatik dhe rrjeteve sociale sepse në një video bërë publike e tregon teksa kërcen dhe argëtohet në një festë me miqtë.

Akuza nuk është thjesht moraliste – Pse një figurë me përgjegjësi politike nuk do të kishte të drejtën e argëtimit? – por meriton të konsiderohet me kujdes. Para së gjithash, në qendër të debatit, edhe njëherë tjetër është pasioni i pamëshirshëm i zilisë.

para së gjithash, edhe një herë, pasioni i pamëshirshëm i zilisë. Thommaso d’Aquino e përkufizonte si trishtim të shkaktuar për të mirën e të tjerëve që pengojnë afirmimin e përsosmërisë. Thënë më qartë, Lacan pohonte se Zilia është gjithmonë zilia e jetës. Në vështrimin e zemëruar të ziliqarit, ajo që në fakt është e patolerueshme, është pikërisht shfaqja e gëzimit të jetës.

Nuk është rastësi që subjektet mbi të cilët zakonisht shkarkohet shiu acid i zilisë janë subjekte që dinë, në mënyra të ndryshme, të mishërojnë fuqinë e gëzimit. Është një mësim nga psikanaliza: njeriu nuk e ka zili kurrë të huajin, por gjithmonë ka zili jetën që do të donte të kishte dhe nuk mund ta kishte.

Domethënë, i lakmuari është gjithmonë ideali i pavetëdijshëm i ziliqarit.

Stili anemik i politikës me të drejtë mërzitet nga forca jetësore e imazheve që na rikthejnë një grua të re – me përgjegjësi të mëdha politike kombëtare dhe ndërkombëtare – që di të kënaqet në një festë. Uniforma e politikanit “borgjez” nuk zbulon aspak – siç ka ndodhur fatkeqësisht në raste të tjera të njohura italiane – imoralitetin dhe papërgjegjshmërinë e sjelljeve të fshehta që mund të kenë pasoja të rënda publike.

Sanna Marin nuk u propozon miqve me të cilët kënaqet të bëhen përfaqësues të çështjeve publike, nuk i emëron nënsekretarë, nuk i sjell as në qeveri, as në parlament. Asnjë nga sjelljet e saj si një e re e lirë nuk mund ta shantazhojë.

Urrejtja ziliqare për rininë është një tipar që përsëritet në çdo qëndrim moralist apo paternalist. Po kështu, edhe të atyre që tërbohen kundër grave. Në veçanti ndaj atyre që angazhohen në politikë, ndoshta që marrin rezultate të rëndësishme me të cilat mund të mburren se kanë një imazh pozitiv.  E kujtoni sesi presidentja e dhomës Boldrini, apo ministrja Boschi – për të marrë vec dy raste nga shumë syresh – u vunë në shënjestër të komenteve të dominuara nga meshkujt e kundërshtarët e tyre politikë. Feminiteti dhe rinia ka diçka të përbashkët që ideologjia patriarkale dhe mashkullore nuk mund ta tolerojë. Të dyja janë shprehje e vitalitetit të jetës, e jetës që është më e gjallë, e jetës që di të jetë e gjallë. Të hedhësh baltë mbi këtë forcë do të thotë të duash ta nënshtrosh atë.

Është një modus tipik i moralizmit të të gjitha llojeve: të njollosësh imazhin e bukur duke e treguar atë të korruptuar dhe çoroditur. A është droguar? A ka bërë seks? A ka abuzuar me alkolin? I ka harruar përgjegjësitë e saj të mëdha?

Një kryeministre e re, e bukur dhe inteligjente është një grup cilësish të pambështetura në ideologjinë mashkullore që jeton me zilinë e dëshirës për të qenë në vend të saj. Në ideologjinë mashkullore dhe moralizmin e kësaj ideologjie ka dicka të padurueshme për të njëjtën festë, sepse cdo festë thyen një urdhër, prish skemat e rrit fuqinë e gëzueshme të lojës. Këtë e dinë shumë mirë dhe fëmijët që e shndërrojnë gjithcka në festë dhe pikërisht për këto arsye atyre u premtohet Mbretëria: pra, dinë ta bëjnë jetën një festë të pafund.

Epo, kjo grua që mori vendime të vështira në një kohë krize të madhe (pandemi, luftë në Ukrainë), e cila e çoi vendin e saj në NATO, e cila pretendonte autonominë e popullit të saj përballë arrogancës ushtarake të Rusisë, di edhe të shijojë jetën, di të bëjë festë. A është ky mëkati që duhet shlyer? Por çfarë do të ishte vetë politika nëse nuk kishte ndjenjën e thellë të një feste? Nuk është kjo ajo që duhet?

Jo, zilia e verbër për të marrë një karrige, e mbi të gjitha reforma e zemrave. Bëhet fjalë për daljen e thinjave bajate e politikës së vogël për dinjitetin e partisë dhe guximin e saj? Të dish të marrësh vendime të forta, të fusësh frymën e rinisë e të ndryshosh linjat me të cilat ishim mësuar. A nuk duhet të jetë në zemër të politikës një ide feste intesive? E dimë nga përvoja, vështirë se dikush që nuk di të festojë, di të jetojë jetën. Përkundrazi, mund të jetë vëzhgues në distancë, gjithmonë i gatshëm për gjykim të ashpër. Për këtë Dante, në rrethin e populluar nga ziliqarët, i përfaqëson ata me sy të qepur nga tela hekuri