Rritja progresive çdo vit e numrit të turistëve në Shkodër ka shtuar nevojën për njësi akomoduese.

Hostelet janë një nga vendet më të preferuara për turistët për shkak të çmimeve më të favorshme. Numri i këtyre bizneseve është rritur së tepërmi në Shkodër ndërsa mungesën e fuqisë punëtore, një pjesë e tyre e kanë zëvendësuar me turistë vullnetarë, të cilët punojnë në këmbim të akomodimit.

Nikolas dhe Maria janë vullnetarë nga Kolumbia dhe Amerika dhe prej disa ditësh janë vendosur pranë një hosteli në Shkodër.

Për Marian nuk është hera parë që punon si vullnetare ndërsa thotë që Shqipëria i pëlqen së tepërmi.

“Kam ardhur këtu se natyra është e bukur dhe ushqimi shumë i mirë . Momentalisht jam vullnetare në këtë hostel, unë i ndihmoj ata ndërsa ato më lejojnë që të qëndroj falas . E gjeta këtë vend përmes internet dhe mu duk shumë interesante . Bashkëpunimi me vendasit është shumë i mirë” tha ajo.

Nikolas është nga Kolumbia. Më parë ka punuar dhe në shumë vende të tjera të evropës si vullnetar ndërsa e vlerëson Shqipërinë si shtëpinë e tij të dytë.

“Më pëlqeu të vij në Shqipëri pasi është një vend që më dukej shumë i shkëputur nga evropa. Gjërat këtu janë shumë më mirë nga sa i mendova dhe njerëzit janë shumë miqësor . Kaloj shumë kohë këtu duke i ndihmuar në punët e hostelit ndërsa ata më strehojnë pa pagesë . Shqipëria është shumë e bukur dhe bota duhet ta njohë më tepër” – u shpreh ai.

Nikolas ka sjellë pak nga kultura e tij në Kolumbi dhe po ofron falas kurse të kërcimit Salsa për banorët e hostelit .

Për menaxherin e këtij hosteli, ky sezon turistik ka një rritje të konsiderueshme të prenotimeve ndërsa thotë që mungesa e punëtorëve të kualifikuar është problem për të gjithë qytetin. Përmes Vullnetarëve kanë zgjidhur shumë mangësi në personel për të pasur një shërbim sa më të mirë për vizitorët .

“Vetëm në këtë sezon më shumë se 6 vullnetarë janë afruar pranë këtij hosteli ndërsa edhe në 9 hostelet e tjerë në Shkodër ka një numër të lartë vullnetarësh” deklaroi Brian Gjerga.