Edhe Shkodra ka tashmë qendrën e kontrollit teknik të mjeteve të rikonstruktuar tërësisht me kushte optimale në funksion të drejtuesve të mjeteve, që prej kaq shumë e shumë vitesh u rropatën në llumin e harresës e të rryshfetit për dokumentet e makinave.

Kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja publikoi sot në rrjete sociale foto të dy realiteteve të ndryshme që paraqesin DRSHTRR Shkodër, si ishte përpara investimit dhe sot e rehabilituar plotësisht sipas modeleve më të mira në shërbim të qytetarëve.

“Si e gjetëm 16 muaj më parë Qendrën e Kontrollit Teknik, të DRSHTRR Shkodër, dhe kushtet sot”, shkroi Gonxhja, teksa vuri në dukje se “s’do as mend e as kalem për ta kuptuar ndryshimin mes dy botëve; se si e trajtonin detyrën, shërbimin dhe qytetarin ata që sot s’po lënë gur pa lëvizur që të rikthehen të na qeverisin, llumshëm, dhe si e bëjmë ne realitet vizionin tonë për njerëzit”.QKT Shkodër i shërben Bashkive: Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë dhe Vau i Dejës, për mbi 55,821 mjete aktive dhe 90,374 drejtues mjeti.Investimi i ndërmarrë nga DPSHTRR-ja, përfshiu rehabilitimin, sistemimin, drenazhimin dhe asfaltimin e sheshit me sipërfaqe 5590 m2. Po ashtu, qendra u rikonstruktua tërësisht edhe në kapanonin për kontrollin fizik të mjeteve dhe zyrat e shërbimit, teksa u shtua edhe numri i parkimeve dhe u përmirësua shërbimi për kontrollin fizik dhe sallën e testimit teorik. /j.p/