Dy të rinj C. R., 22 vjeç, banues në Angli dhe S. R., 19 vjeç, banues në Itali janë arresruar në pikën kufitare në Muriqan pasi tentuan të kalonin kufirin pa deklaruar lekët, të dyshuara të fitura në mënyrë të kundërligjshme të fshehura në mjetin tip “Audi” me të cilën udhëtonin. Policia sekuestroi 14.030 euro dhe 1130 paund.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Muriqan, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi”, me të cilin udhëtonin shtetasit C. R. dhe shtetasin S. R.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 14.030 euro dhe 1130 paund, që i posedonin shtetasit C. R. dhe S. R., të cilët nuk i kishin deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Nga veprimet hetimore dyshohet se shumat e parave të sekuestruara janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit C. R., 22 vjeç, banues në Angli dhe S. R., 19 vjeç, banues në Itali, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.