Kreu i SPAK në një intervistë për Zërin e Amerikës i është përgjigjur kritikave politike ndaj institucionit që drejton. Arben Kraja, i pyetur se çfarë është duke bërë SPAK për Sali Berishën, i cili është shpallur non grata për korrupsion nga SHBA, Kraja duke mos dhënë një përgjigje të qartë, tha se SPAK ka disa çështje në hetim të cilave do t’u hskojë deri në fund. 

Problemi i korrupsionit në Shqipëri, por edhe në Ballkan është shqetësues. Është mungesa e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Për këtë në Shqipëri është bërë një reformë, kemi dy vite që punojnë për arritjen e rezultateve konkrete. Ne bashkëpunojmë me homologët për të luftuar këtë fenomen. Çështje penale SPAK ka shumë ne hetim dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund dhe për ti vënë para përgjegjësisë kur provohet vepra penale.’- tha ai 

Kreu i SPAK u pyet gjithashtu edhe për aferën e inceneratorëve, ku u shpreh se është në hetim. Sipas tij, kjo është një çështje shumë komplekse, pasi janë të përfshira disa institucione. Sipas Krajës, hetimet do të vazhdojnë deri në fund edhe për inceneratorin e Tiranës dhe do të përgjigjet çdo zyrtar i lartë që ka shkelur ligjin.

“Çështja e inceneratorëve është komplekse sepse janë përfshirë shumë institucione që kanë qenë pjesë e këtij aktiviteti është një volum i madh pune. Ne kemi 3 hetime penale për tre inceneratorë, Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. 

Për dy të parët në kemi arritur disa konkluzione, që janë publike. Kemi ngritur përgjegjësi penale për disa persona, përfshire edhe zyrtarë, dhe hetimet për inceneratorin e Tiranës do të vazhdojnë deri në fund për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe do përgjigjet kushdo që ka shkelur ligjin”, tha Kraja.

I pyetur në lidhje me pronarët e kompanive të cilët u larguan para daljes së urdhër arresteve, Kraja sqaroi se disa prej tyre mund të jenë edhe jashtë vendit çka pengon procesin e hetimit.

 “Kjo është çështje e hetimit që duhet sqaruar. Problemi është se janë qytetarë të lirë dhe derisa del një masë sigurimi ata janë të lirë. Mund të jenë edhe jashtë vendit.  Ndonjëherë kur kërkohen nuk kapen sepse fshihen. Është pjesë e hetimit, por kjo nuk na pengon që të vazhdojmë hetimin”.-  u shpreh ai ndër të tjera për VOA-n 

Kreu i SPAK-ut është pyetur edhe për grupet kriminale në Shqipëri, ku ka deklaruar se janë fuqizuar aq shumë sa kryejnë lehtësisht trafik droge nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve perëndimore.

Duke folur për Zërin e Amerikës, Kraja shtoi se këto grupe kryejnë vrasje dhe grabitje si dhe përfshihen në ngjarje të dhunshme në Shqipëri që lidhen me aktivitetin e tyre jashtë vendit.

‘Kohët e fundit ne po vërejmë përfshirjen gjithnjë e më shumë të shtetasve shqiptarë në aktivitete kriminale jashtë vendit, sidomos në trafikun e drogës, dhe duke u aktivizuar që në vendet e burimit. Pra që në vendet e Amerikës së Jugut dhe garantimin e transportit nëpërmjet anijeve dhe rrugëve detare drejt Evropës Perëndimore. Dhe ky është fenomen shqetësues sepse jo thjesht sepse dëmton jetën e njerëzve që përdorin këto drogëra. Por edhe për Shqipërinë ka pasoja. Një pjesë e mirë që rrjedhin nga ky aktivitet kriminal vijnë dhe investohen në Shqipëri. Në Shqipëri ndodhin shumë vrasje, grabitje dhe ngjarje të dhunshme që lidhen me aktivitetin jashtë vendit të këtyre grupeve kriminale. Në një farë mënyre jemi përfshirë në këto pasoja që sjell ky aktivitet.’- tha ai.