Muaji gusht bashkë me ditët e nxehta sjell edhe emigrantët që jetojne jashtë në vendlindjen e tyre.

Edhe artistja shkodrane Desantila Qerimaj, e cila ka vite që jeton jashtë Shqipërisë ka vendosur t’i kalojë në Shkodër këto ditë pushimesh. Në vitin kur nisi pandemia ajo botoi vëllimin e saj të parë me poezi “Arie t’krisuna”, një libër që i nxorri në pah anën poetike që ajo e kishte mbajtur të pazbuluar deri në atë moment.

Desantila ka një dashuri të madhe për muzikën sepse ajo përbën pikënisjen e saj në fushën e artit e më konkretisht artistja shkodrane është e lidhur ngushtë me violinçelin. Ajo ka studiuar në konservatorin “Cesare Pollini” në Padova të Italisë dhe si violinçeliste ka marrë pjesë në orkestra të ndryshme simfonike dhe filarmonike në Itali, Shkodër dhe Londër ku aktualisht jeton. Dashuria për muzikën i është rrënjosur nga nëna e saj, artistja e njohur Shpresa Rranxa.

Pavarësisht se ajo ka vite që jeton jashtë vendit, lidhjet me Shkodrën nuk i ka shkëputur asnjëherë dhe keto ditë ajo po i kalon në Shqipëri.Artistja shkodrane tregon se në planet e saj ka ndërmend të sjellë edhe nje libër tjetër me poezi por duke mos harruar edhe projektet për muzikën, dashurinë e saj të parë.