Presidenti i vendit Ilir Meta u pyet sot në Shkodër për deklaratat e Fatos Nanos, se ai kishte të 7ta mëkatet që cilëson Bibla. Meta tha se deklaratat e Nanos nuk e bëjnë të ketë asnjë reagim, ndërsa përmendi disa herë fjalën zero.

Meta: Zero koment për çështje që nuk ekzistojnë, e rëndësishme është që sot të fokusohemi te pandemia, pasi kemi një rritje të frikshme tënumrit të vdekjeve.Një koment për zero ngjarje, nuk kam asnjë koment e theksoj, për zero ngjarje për zero akuza, për zero, zero.

Ndërkohë i pyetur me insistim nga gazetarët nëse e sheh Nanon si pasardhësin e tij në Presidencë, Meta refuzoi sërish që të jepte një përgjigje, duke kërkuar anashkalimin e liderit historik të socialistëve.

Në një deklaratë të dhënë së fundi, përballë gazetarit Blendi Fevziu, Fatos Nano tha se Meta kishte pasur mbështetjen më të madhe të tij.

Nano Nuk kam asnjë raport sot, as fizik as..Fare dhe nuk më mungon. Pse nuk më mungon, sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes sime.

Unë po flas nga ata që kam mbështetur, nuk thashë që është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj, që nga Freshi, nga qeveria e parë, nga komiteti i partisë së Tiranës, i dhashë degën e Tiranës të drejtojë, kur të gjithë thonin është rivali i ri i Nanos, deri tek qeveria e fundit.

Ilir Meta u bë Kryeministër në 99, pas një marrëveshjeje me mua pas kongresit dhe mbeti si i tillë deri ditën që dha dorëheqjen, kur mendoi se bashkë me krizën energjitike do hante edhe kokën e Fatos Nanos. Sapo ishim marr vesh që të vazhdonte drejtimin e qeverisë, papritur më thotë: E deshe, merre mbaje me gjithë krizën e energjisë dhe iku.

Më lerë ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh pjesën më të madhe të mëkateve, të 7 mëkateve kapitale, është Presidenti i sotëm.