Jo thjesht krenari dhe pasion. “Tifozat Kuq e Zi” janë më tepër se kaq.

Grupimi i organizuar që ka për qëllim të mbështesë në çdo kohë Shqipërinë në sport, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për çështjen kombëtare dhe nderimin e heronjve, tashmë shfaqet në një tjetër dimension: Humanizmin!

Përpos angazhimit gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, “Tifozat Kuq e Zi” nisën të grumbullonin fonde për dy prej zonave më të goditura nga katastrofa natyrore dhe njerëzore, Durrësin dhe Shijakun.

Grupimi i propozoi qeverisë shqiptare projektin e rindërtimit të dy godinave tejet të rëndësishme të dëmtuara nga tërmeti dhe pas një rrugëtimi të gjatë mes burokracive të institucioneve, më në fund morën lajmin e shumëpritur.

Këshilli i Ministrave miratoi dhe hyrjen në fuqi me efekt të menjëhershëm të projektmarrëveshjes së bashkëpunimit për rindërtimin e dy qendrave shëndetësore në Bashkitë Durrës dhe Shijak, në mbështetje të aktit normativ “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.

Një nismë që vlen më tepër se çdo gol. Përfshirje dhe angazhim, që i japin një kuptim edhe më të madh këngës O sa mirë me qenë shqiptar .