Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur një vendim, në të cilin përcaktohen rregullat e sjelljes së efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Gazetari Adriatik Doçi ka bërë me dije se vendimi për rregullat e reja do të merret në ditët në vijim nga ana e KQZ-së, pasi të shqyrtohen një më një të gjithë pikat e nevojshme.

Në rregullore përcaktohet qartë se punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, forcat komando, apo dhe struktura të tjera të ushtrisë bashkë me Policinë Kriminale, që janë rekrutuar gjatë 4 muajve të fundit do ta kenë të ndaluar që t’u afrohen objeteve zgjedhore. Ushtria mund të angazhohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe me urdhër të ministrit.

Ndërsa efektivët e Policisë së Shtetit që lejohen të marrin pjesë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duhet të mbajnë veshur një uniformë speciale dhe ndryshe nga ajo e zakonshmja. Në uniformat e reja do të kenë të shënuar numrin rendor nga ana e KQZ-së dhe mbiemrin e tyre.

Armët do të jenë të ndaluara, përveç rasteve nëse kanë informacione lidhur me ndonjë aktivitet kriminal. Për arsye sigurie, ata do të lejohen që të qëndrojnë jashtë dhe brenda qendrave të votimit për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm.

Në rregulloren e re, është vendosur që në një distancë perimetrike 150 m2 nga qendrat e zgjedhjeve, nuk lejohet të qëndrojnë askush tjetër veç personave që presin në radhë për të shprehur vullnetin e tyre. Pasio procesi të përfundojë, një punonjës policie i planifikuar me libër shërbimi, shoqëron kutinë e votimit nga qendra e votimit tek grupi i numërimit, në një automjet, në të cilin duhet të ndodhen edhe anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit dhe sekretari. Askush nuk duhet që t’i prekë materialet zgjedhore.

Ndryshimet dhe rregullat e reja të përcaktuara më lart pritet që të implementohen të gjitha ditën e zgjedhjeve parlamentare më 25 prill.

(k.m/dosja.al)