Një sulmues largohet dhe një tjetër afrohet. Teuta e zëvendëson shumë shpejt Rubin Hebajn me një ekspert të kampionatit shqiptar siç është Sebino Plaku. Durrsakët janë skuadra e 13-të në Shqipëri për sulmuesin 35-vjeçar i cili do të përpiqet të ndihmojë Teutën me eksperiencën e tij në këtë pjesë të dytë të sezonit pas aventurës te Kastrioti. Plaku do të jetë pjesë e Teutës për 6 muajt e ardhshëm me shpresën se në fund do të shpallet kampion i Shqipërisë me skuadrën e drejtuar nga Edi Martini.

“KF Teuta me kënaqësi komunikon marrëveshjen me futbollistin, Sebino Plaku. Drejtuesit e klubit dhe sulmuesi kanë gjetur akordin për bashkëpunim lojtari është prezantuar në ambientet e stadiumit “Niko Dovana” në pranin e shefit të klubit Enid Furxhi dhe tashmë është pjesë e bluve. Plaku në Durrës vjen nga ekipi i Kastriotit. Sulmuesi do të bashkohet sot me ekipin në stërvitje, ndërsa është përforcimi i parë i Teutës në këtë afat kalimtar. KF Teuta i uron mirëseardhje Sebino Plakut, duke i dëshiruar suksese dhe sa më shumë me fanellën e skuadrës tonë”, shkruan klubi durrsak.