Ky është Dritan Onjea, 49 vjeçari artisan që vjen nga Saranda në Shkodër për të shitur punimet e tij. Ka zgjedhur Shkodrën në listën e qyteteve duke qenë se shkodranët janë të dashuruar pas artit dhe gjërave të bukura tregon Onjea i cili prej vitesh merr pjesë rregullisht në panairet që zhvillohen në Shkodër.

Përpara viteve ’90 Dritan Onjea ka qenë një agronom i thjeshtë por ndryshimet drastike me rënien e sistemit monist bënë që 49 vjeçari të mësojë nga prindërit dhe gjyshërit artizanatin dhe ta ushtrojë gradualisht atë duke u bërë sot ndër më të pëlqyerit.

Punimet e Dritanit dhe familjes së tij që janë të angazhuar tek artizanati janë të veçanta. Perlat, guackat që nxjerr deti pas stuhive dhe që duhen mbledhur në rërë, gurët, koralet baza e të cilës vjen nga Maroku, qeramike apo inxhitë tradiacionale janë produktet e veçanta që sjell familja Onjea.

Më shumë artizani gjirokastrit që jeton në Sarandë dhe vjen e shet në Shkodër thotë se më të pëlqyerat nga punimet e tij janë punimet me gurë ndërsa qytetet ku blejnë më shumë janë Shkodra, Tirana, Korça , Gjirokastra dhe Berati.

Ky vit ka qenë i vështirë për artizanët për shkak të pandemisë dhe për pasojë mungesës së turistëve duke bërë që shitjet të jenë shumë më të pakta. Kjo ka detyruar artizanët që të ulin ndjeshëm çmimet ndërsa shteti nuk i ka dhënë asnjë ndihmë.

Dritan Onjea ia ka mësuar artizanatin edhe djalit të tij 13 vjeçar ndërsa e ndihmon edhe bashkëshortja në punën që bëjnë duke zbukuruar panairet kudo që shkojnë si dhe duke mundësuar të gjithëve atyre që blejnë punime tërësisht shqiptare dhe një pjesë tradicionale të cilat kanë një tendencë drejt zhdukjes.