Kryetari i PD , Lulzim Basha, ka dëgjuar shumë histori të trishta sot gjatë një bashkëbisedimi që ka pasur me disa nëna të emigrantëve.

Basha deklaroi qartë se qeveria e ardhshme ka një plan të qartë që të kthejë rininë në Shqipëri, duke i kthyer kështu shpresën vendit.

Gjatë bashkëbisedimit u ndanë eksperienca nga më të dhimbshmet të historisë dramatike të nënave shqiptare me emigracionin.

“Emigracioni në vitet e fundit është shumë i dhimbshëm. Rreth dy vite që djali është larguar pas shumë peripecive, në fakt që për shumë vite, që i vogël, që 16 vjeç ka ndarë kohës mes shkollës, sportit të atletikës ku ishte edhe kampion në fakt, edhe punës. Erdhi momenti këto vitet e fundit që nuk përballohej më edhe tha do të marr rrugën. Falë Zotit iku edhe do rregullohet atje tha Qefsere Deliu.

Kur vjen darka kontrolloj telefonin nëse është djali në internet. Nëse nuk është nuk më zë gjumi gjithë natën se mos ka ndonjë problem.

Djali tjetër ka mbaruar shkollën e lartë për Emergjencat Civile dhe kur ra tërmeti aplikoi në Bashki për të kontribuar si vullnetar, sepse i vinte keq për të prekurit. E lexuan kërkesën dhe nuk ia pranuan. Të vendosësh dorë që të mos ikin më jashtë dhe të kthehen për të punuar në Shqipëri”, është shprehur ajo.

Unë jam nënë e dy vajzave. Njëra prej vajzave ka mbaruar gazetari me rezultate të shkëlqyera. Pasi nuk gjeti asnjë mundësi apo alternativë punësimi këtu, u detyrua të emigronte në Amerikë. Më falni Ajo ka sot dhe një vajzë të vogël, të cilën unë e kam parë vetëm njëherë kur lindi.

Pamundësia ekonomike e jona na detyron që t’i qëndrojmë larg. Por e keqja nuk është kjo. Kam vajzën tjetër që ka mbaruar për informatikë ekonomike, dega financë bankë, e cila nuk po gjen alternativë punësimi dhe ajo do të ndjekë hapat e të motrës, do të iki jashtë sepse thotë këtu nuk shih asnjë dritë jeshile. Tani, zoti Basha dua të di kur do të mbarojë ky makth për ne prindërit, sidomos në këtë kohën e pandemisë, se po të mendojmë, se po të na gjejë gjë do të vdesim pa parë fëmijët tanë. Kjo është e keqja më e madhe e popullit tonë, po rrimë larg fëmijëve, rrëfen me lot në sy Elida Xherahi.