Pasojat e krizës nga pandemia nuk kanë kursyer as sektorin e bujqësisë. Më të prekurit nga kjo situatë janë femerët, kryesisht ata të cilët tregtojnë prodhimet e tyre drejt Malit te Zi , ku sipas tyre eksportet kanë rënë ndjeshëm.

Isak Bajrami, i cili prej 20 vitesh kultivon sallatë jeshile në serën e tij dhe e tregtonte jo vetëm në tregun vendas por dhe drejt Malit të Zi. Por Isaku foli për gazetaren e Fax News, Vilma Voci duke i thënë se që prej muajit Mars nuk ka mundur të eksportojë prodhimin e tij drejt vendit fqinj. Për pasojë fitimi është mjaft i ulët.

“Në këtë vit prodhimi ka qenë i bollshëm, por shitja ka qenë e ulët, një pjesë prej tyre janë shitur me një çmim qesharak, sa nuk mbulon as shpenzimet vetëm për serën e jo më për punën që bëjmë ne” u shpreh Bajrami.

Rënia e ekonomisë, mbyllja e restoranteve, ndalimi i dasmave dhe eventeve të tjera janë disa nga faktorët që po dëmtojnë bujqësinë në këtë zonë

“Faktori kryesor është fuqia blerëse që ra për shkak të pandemisë, mbyllja e tregjeve, mbyllja e kufirit me Malin e Zi, të cilat kanë ndikuar negativisht për shitjen e prodhimeve tona” vijoi Isaku.

Nga ana tjetër Isaku shprehet se një mbyllje e dytë do të ishte një falimentim për ta.

“Një mbyllje tjetër ka rrezik të na falimetojë, që do të thotë se ndoshta ushqehemi, por njeriu nuk është si pema që do ushqim, njeriu do edhe të lëviz dhe jeta është aq sa e ke atë mundësinë të largohesh prej shtëpisë” tha fermeri.

Isak Bajrami shtoi se mbyllja nuk ul as ngre ritmet e përhapjes së sëmundjes si dhe tregon se në fshatin e tij nuk ka pasur asnjë rast me Covid.

“U bë gati një vit nga mbyllja dhe e vërej se si i mbyllur, si i pambyllur, ritmet e përhapjes së viruseve as nuk zvogëlohen as nuk shtohen. Në katundin tonë nuk ka pas asnjë dhe mua më duket pak e çuditshme pse na mbyllin” përfundoi fermeri.