Që ka një konflik në mes sponsorit të Vllaznisë Alban Xhaferi dhe administratorit Benjamin Naku, tashmë është krejt e qartë se ekziston. Ndonëse me pak vonesë, pasi realisht zhurma mediatike dhe ajo në qarqet e rrjeteve sociale ka ditë të tëra që flasin dhe interpretojnë në mënyra nga më të ndryshmet, erdhi momenti që edhe palët e përfshirë në konflik të flasin për publikun duke dhënë prononcimet e para rreth kësaj çështje

I pari që e ndërmori këtë hap ishte administratori i KF Vllaznia SH.A, Benjamin Naku, i cili përmes një deklarate për shtyp sqaroi ngjarjen në fjalë duke këmbëngulur se asgjë e thënë deri më tash në adresë të tij nuk është e vertetë.

Nëse deri më tani ka pasur aludime, nëse vertet ekziston apo jo një ftohje të marrëdhënieve në mes sponsorit Xhaferi dhe administratorit Naku, me atë që Xhaferi deklaron në vijin të prononcimit të tij live me studion sportive të TV1 Channel, tashmë nuk ka asnjë dyshim se marrëdhëniet mes tyre janë ftohur keq, deri në atë mënyrë që ai nuk e peferon ta ketë më në staf administratoritn aktual. Dhe, pasi i ka paraprirë me komentet e mësipërme keqmenaxhuese sipas tij të administratës së mëparshme në përgjithësi, shigjeta është drejtuar direkt me emër konkret tek administratori aktual, Benjamin Naku, i cili për hirë të së vertetes ka vetem pak ditë që e ka marrë këtë detyrë

“Duhet të kuptojmë edhe diçka që për fatin e keq tek Vllaznia vazhdon të ketë pjesëtarë të stafit, si administratori që ka një dypunësim. Ai ka një kontratë të plotë me Universitetin e Shkodrës, dhe gjithashtu ka edhe një dypunësim si administrator i SH.A Vllaznia. Që këtu ka një konflikt të hapur interesi, sepse në bazë të ligjit që në pjesen e profesionit të tij që është professor duhet të punojë 40 orë pune tek Universiteti. Unë nuk e kuptoj se ku e gjen kohën e duhur që administratori të vijnë edhe tek SH.A Vllaznia. Këto janë probleme, që ka ardhë momenti, dhe që shpresoj edhe tek procesi i privatizimit, ti japë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi, për tu kthyer në parametra normal të punës, duke shkuar tek sllogani që e kemi bërë të ditur më herët, “Rikthim tek Suksesi” shprehet sponsori Xhaferi.

Një deklaratë kjo publike që nuk ka nevojë fare për koment, sepse mesazhi duket i qartë dhe i plotë. Ftohja e marrëdhënieve mes tyre, sponsorit Xhaferi dhe administratorit Naku, tashmë është prezente edhe në publik, deri në atë pikë sa Xhaferi dhe stafi i tij kanë kërkuar zyrtarisht edhe në kupolën presidenciale pranë kryebashkiakes Voltana Ademi që ai të largohet nga kjo detyrë

Konflikti, jo në kohën e duhur

E gjitha ajo që përcollëm më sipër pritet të shoqërohet me zhvillime të reja në kampin kuqeblu, qoftë në argumentet mbrojtëse të administratorit, apo edhe në atë të qëndrëses së stafit “Xhaferi” për të kërkuar një administrator tjetër në vendin e Nakut. Në pritje të këtyre zhvillimeve, për të cilat kryebashkiakja Voltana Ademi ka një peshëntë amdhe vendimmarrje, ajo që shqetëson opinionin sportiv, dhe më së shumti në radhët e specialistëve dhe analistëve të sportit, ka të bëjë me faktin se një konflik i tillë nuk duhej të shfaqej në një moment të tillë. Vllaznia luan të shtunën një ndeshje shumë të rëndësishme, pse jo edhe përcaktuese kryesisht në aspektin moral kur pet në “Loro Boriçi” rivalin tradicional, Tiranën kampione.

Dhe, frika në këtë rast qëndron në atë se mos një situatë e tillë paksa acaruese dhe konfuze në kupolën drejtuese të klubit, mund të japë efektin negativ në skuadrën kuqeblu. Sponsori Xhaferi dhe pjesëtarë të tjerë të stafit kuqeblu kanë garantuar se grupit kuqeblu me në krye trajnerin Thomas Brdariç i janë krijuar të gjitha kushtet e duhura për të qëndruar sa më larg kësaj situate. Ato kanë bindjen e plotë se në përballjen me Tiranën, Vllaznia do të japë më të mirën e saj, me objektivin e marrjes së fitores së tretë radhazi për të vijuar qëndrimin në krye të tabeles së klasifikimit

Gaspër MARKU