Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një komunikim me gazetarët, u pyet se pse opozita po vonon që të nxjerrë ekipin e saj për zgjedhjet e Prillit të 2021-shit.

Sipas Kryemadhit sot më shumë se kurrë qytetarët kanë nevojë që të kenë siguri ekonomike dhe për të ardhmen, dhe se sfida do të jetë për politikanët që në këto 160 ditë që mbeten nga zgjedhjet, duhet të paraqesin platformën e tyre, që të shtyjë qytetarët drejt kutive të votimit.

“Unë mendoj se sot qytetarët shqiptarë nuk janë të fokusuar te emrat e ekipeve politike, por kanë mungesë sigurie në familjet e tyre, për shëndetin e tyre dhe të ardhmen. Duke filluar që nga administrata publike, e te bizneset që janë duke u përballur me depresion ekonomik. Sot qytetarët duan të dinë se pse duhet të rrinë në Shqipëri, dhe sot më shumë se kurrë ata duhet të shkojnë drejt kutive të votimit, për ti thënë klasës politike që nuk mund të sillen si të duan me ta.

160 ditë janë njëkohësisht shumë të gjata për shqiptarët, por është shumë e shkurtër për drejtuesit e partive politike, pasi kërkon që të ketë takime me njerëzit, për tiu shpjeguar atyre qendrimet. Ne si opozitë kemi një të përbashkët, që është rrëzimi i sektit të rilindjes, me Edi Ramën në krye, dhe vendosja e një realiteti të ri” u shpreh Kryemadhi.

Ndërkohë që Kryemadhi foli dhe për qendrimet që ka mbajtur opozita sa i takon pandemisë.

“Njerëzit kanë panikun më të madh, që u duhen mbi katër mijë euro në rast se sëmuren të gjithë si familje. Të akuzosh sot opozitën për qendrimin që ka mbajtur për pandeminë, është keqdashësi për të sfumuar gjërat që kanë rëndësi sot për qytetarët.

Gjëja e parë që duhet tiu japim qytetarëve është shpresa dhe besimi. Covidi mposhtet ashtu si çdo virus tjetër, sot shohim ambulanca që rrinë me radhë që nuk marrin në shërbim në spitale. Ne si opozitë kemi kërkuar që të ketë një protokoll të qartë për këtë sëmundje, Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte një protokoll për këtë” tha më tej Kryemadhi.