Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka qenë numri 2 i PD është larguar nga kjo parti për shkak të Lulzm Bashës. Në emisionin “Aktualitet” nga Bejdo Malo në Fax News ka folur rreth formularit që i dorëzoi Basha për të shpjeguar kontributet në PD duke thënë se ishte enverizëm i gjallë, fyes dhe qesharak.

“Është fyerje ti çosh dikujt formular. Është i rremë në cdo gjë, nuk demokratizohet partia me formular. Kur e lexova, thashë si ka mundësi që të tjerët e kanë plotësuar. Ishte aq fyes dhe qesharak si ai që kërkoi mbrapa që të mos thonim asnjë fjalë kundra gjësë. Është një enverizëm i gjallë dhe është kundra qenies time”, tha Topalli.

E pyetur nëse Rama ka gisht në krijimin e partisë së re “Lëvizja për ndryshim”, Topalli thotë: “Rama është kundërshtari im i parë i sotshëm dhe i hershëm dhe kjo lëvizje është vetëm kundra Edi Ramës sepse jam e bindur se është në qeveri vetëm se ka marrë peng PD. E kam thënë prej vitesh, pa hequr Bashën nuk ikën Edi Rama, duhet të ishte larguar prej kohësh. Shqiptarët po paguajnë gjithë vuajtjen e tyre për shkak të pazareve që palët kanë bërë gjatë kësaj periudhe.”

Sa i përket partive të reja që po krijohen nga opozitarë, Topalli me bindje shprehet se nëse nuk do ishte Basha në krye të PD, të gjithë do të bashkoheshin.

“Po të kishim një kryetar të ri, të pakorruptuar, të gjithë do bashkoheshim aty ku kemi qenë dikur. Është përçarësi më i madh i së djathtës, përgjysmoi të djathtën dhe nuk ka lidhje me një forcë politike si PD dhe mban në fuqi Edi Ramën”, shtoi Topalli.