Mediet në mbarë Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një mbrëmje me tensione pasi u raportua se presidenti i tanishëm, Donald Trump, është duke planifikuar që ta shpallë fitoren të martën edhe para shpalljes së rezultateve në shtetet kyçe.

Qëllimi i raportuar i presidentit për të mbajtur fjalim të fitores, që mund të jetë i parakohshëm dhe i pavlefshëm, kur një numër i madh i votave me postë ende nuk mund të jetë numëruar, ka nxitur debat të madh mes gazetarëve, shkruan The Guardian.

Kanalet televizive në atë rast do të ishin nën trysni për ta transmetuar apo jo fjalimin e presidentit, për shkak se ai do të përbënte lajm, por njëkohësisht duke qenë të vetëdijshëm se një gjë e tillë do të mund të përmbante dezinformata të rrezikshme që do të mund të nxisnin dhunë në mbarë vendin dhe do të mund ta minonin procesin demokratik.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë muajve të fundit vazhdimisht ka pretenduar në mënyrë të pabazuar se votimi me postë do të përcillet me manipulime, duke u munduar që ta krijojë iluzionin që ai do të dëmtohet padrejtësisht në zgjedhje në shtetet kyçe si Pensilvania.

Ai më parë gjithashtu ka refuzuar të konfirmojë se do ta pranojë humbjen dhe se do ta dorëzojë pushtetin në mënyrë paqësore, duke thënë se do të presë dhe do të shikojë se çfarë do të ndodhë.