Të gjithë personat që duan të aplikojnë për pasaportë nuk e kanë më të domosdoshme që të shkojnë së pari në komisariatet e zonave ku banojnë, por thjesht duhet të paraqiten tek sporteli përkatës i aplikimeve, pas përcaktimit online të orarit

Ky thjeshtim procedurash është bërë i ditur nga vetë ministri Lleshaj i cili tha se

“Në ndryshim nga praktika e deritanishme, tashmë për ri-aplikimin janë hequr detyrimet për tu paraqitur pranë policisë, për të bërë aplikim dhe për të plotësuar formularë pranë Policisë së Shtetit.

Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online.

Një risi tjetër e cila ka kohë që ka ndodhur lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie që do të thotë që kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence, që është po ashtu një lehtësi dhe shërbim i ri në favor të qytetarëve”

Gjithashtu ministri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të cilët duhet të aplikojnë për kartë identiteti pasi u ka skaduar aktualja por që u është shtyrë afati për shkak të pandemisë të aplikojnë sa më shpejt pasi do tu nevojiten dhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kryesisht për kartat e identitetit e bëj thirrjen më të fortë për arsye se një numër i madh shërbimesh lidhen me kartat, me vlefshmërinë e tyre, ndërkohë që edhe afrimi i zgjedhjeve detyron qytetarët të pajisen me këto karta me qëllim që tu mundësohet edhe zgjedhja konform rregullave, për faktin që duke pasur edhe identifikim elektronik do të duhet që qytetarët të kenë në dorë karta të vlefshme” tha ai.