Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e takimit online për programet e punësimit u shpreh se shkollat profesionale kanë pësuar një braktisje të pajustifikueshme.

Gjatë kësaj mbledhje u prezantuan 3 programe të reja të punësimit në mbështetje të personave që janë prekur në vendin e tyre të punës (formal ose joformal) nga pandemia.

Programi përfshin 3 paketa, ku bëjnë paketa e parë me program punësimi 4 mujor, paketa e dytë me program punësimi 8 mujor dhe paketa e tretë me program punësimi 12 mujor.

Gjatë prezantimit Rama theksoi se një nga sfidat që pritet të realizohet është vendosja e pagës minimale, 30 mijë lekë.

“Sot kemi një numër të konsiderueshëm studentësh ekselencë që kanë hyrë drejtpërdrejtë në administratë më notat e tyre. Sipas Bankës Botërore të Papunësisë në Rajon regjistruam nivelin më të ulët të papunësisë. Është fakt se dy paketat për tu garantuar lehtësi punëdhënësve kanë funksionuar, paga e luftës ka funksionuar.

Hapja graduale e vendit ka bërë që 20 mijë persona të punësohen. Tani jemi në kohën që duhet të kujdesemi për ata që nuk janë punësuar. Këto program targetojnë punëkërkuesit që humbën vendin e punës.

Sot jemi duke definuar atë masë që ka qenë një nga objektivat tona dhe që po vjen drejt realizimit që është vendosja e pagës minimale 300 mijë lekë, (pra 30 mijë lekë të reja) duke synuar që të mos ketë më asnjë pagë nën 30 mijë lekë. Studimi për një rishikim të sistemit të taksimit po vazhdon. Dua të them që këto masa, nuk kanë të bëjnë me fushatën elektorale, por janë fryte që merren pas një kohe të gjatë.

Pikërisht se kemi bërë reforma, kemi ecur me durim, jemi sot në kushtet ku mund të vazhdojmë të realizojmë objektivat. Në javën e ardhshme mund të publikojmë rritjen masive të rrogave për mjekët. Mjekët dhe mësuesit i kemi në fokus” tha Rama.

Sakaq Rama tha se aplikimi për programet e punësimit bëhet online nëpërmjet e-albania.