Partia Socialiste do të mbledhë sërish grupin parlamentar së bashku me drejtuesit politikë të qarqeve. Mbledhja do të zhvillohet paraditen e sotme, në selinë rizë në Tiranë dhe në fokus të diskutimeve do të jetë mënyra e organizimit të Asamblesë, e cila, siç dhe u raportua do të ndahet në tre pjesë.

Por çfarë do të ndodhë tjetër në takim?

Si çdo javë, të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve, do të japin llogari përkpara numrit një të socialistëve, kryeministrit Edi Rama, duke dorëzuar edhe raportimin për zonën që mbulojnë.

Një tjetër raportim që do të bëhet është ai lidhur me objektivat që janë arritur para çeljes së fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

Asambleja e Partisë Socialiste do të organizohet në tre rajone në javën e parë të tetorit. Shkodra, Fieri dhe Tirana do të lidhen online për të mësuar gjithë ç’do të diskutohet.

Rama ka mbledhur edhe dy herë të tjera socialistët në seli. Ai ka kërkuar që objektivi për zgjedhjet paralmentare që do të zhvillohen më 25 prill të vitit të ardhshëm, janë 80 mandate. Kryeministri u ka lënë porosi drejtuesve të qarqeve që të dalin për fushatë dhe të kenë si prioritet komunikimin me qytetarët.

Nga raportimet e bëra deri më tani, qarqet në Veri të Shqipërisë kanë rezultuar më shumë problematikë. Një tjetër porosi e Ramës ka qenë edhe ‘hetimi’ i Opozitës, për mënyrën se si do të angazhohet në fushatë.