Edhe pas vizitës së tij në Shkoder, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe në By pass-in e qytetit ende nuk po punohet. Por me sa duket porositë e Edi Ramës kanë qënë të qarta dhe ky investim duhet të jetë gati për zgjedhjet parlamentare të 2021.

Prandaj në këtë pikë, hapi i parë që numri një i qeverisë ka hedhur në mbledhjen e kabinetit, ka qënë miratimi i shpronësimeve për familjet që ju është marrë toka për ndërtimin e kësaj vepre. VKM në fjalë përcakton se vlera e vënë në dispozicion për shpronësimet është 304 milion e 021 mijë e 890 lekë dhe do të përballohet nga fondi i autoritetit rrugor shqiptar të këtij viti.

Ndërsa për shpenzimet procedurale, që kapin vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas burimeve e gjithë proçedura do të kryhet brenda 10 ditëshit të parë të tetorit me qëllim që më pas të nisë puna në terren e të mund të ndërhyhet me asfaltim, prishje të objekteve të gjykata e Apelit dhe lidhja me hyrjen e rrugës kryesore, aty ku është dalja e By passit.

Investimi strategjik do të shërbeje edhe si argjinaturë mbrojtëse për përmbytjen e Shkodres, por në të njëjtën kohë do të ketë impakt në lëvizjen e mjeteve që udhëtojnë drejt Hanit të Hotit, përfshirë edhe ato të tonazhit të lartë, duke shmangur kalimet e tyre nga unaza lindore sic ndodh aktualisht