Myftiu priti ambasadoren e ShBA-së në Tiranë, znj. Yuri Kim

Praditën e së xhumasë, më 11 shtator 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt ambasadoren e ShBA në vendin tonë, znj. Yuri Kim.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në fb, Myftiu shkruan: Ditën e sotme, prita në një takim kortezie, ambasadoren e ShBA në vendin tonë, znj. Yuri Kim, me të cilën ndamë mendime rreth besimit, dijes, urtisë e historisë, kulturës e trashëgimisë, vlerave të lirisë së besimit, shenjtërisë së jetës dhe respektimit të drejtave legjitime të tjetrit, kushdo qoftë ai

Shkodra, me elementët e saj përbërës, besimin, qytetarinë, diversitetin fetar e kulturor, trashëgiminë e vlerave, personalitetet emblematike, datat e shënuara dhe shpirtin e harmonisë, përtej tekave provinciale, ishte pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit tonë

U takuam dhe u ndamë në kufijtë e të bardhës, mesazheve të paqes e domosdoshmërisë së ruajtjes me dinjitet e krenari të besimit e fesë, urave që lidhin njerëzit e pjekur e vullnetmirë, dhe përkushtimit në rrugën e shërimit të lëngatave të mëdha që kanë pezmatuar shoqëritë e sotme njerëzore, atë shqiptare në veçanti