Pasditen e sotme politika do i rikthehet normalitetit, pasi nis sesionin e ri dhe bashkë me të dhe aktiviteti politik. Për shkak të koronavirusit, distancimi social do të jetë pjesë e pandashme e seancave.

Ashtu si para pushimeve, deputetët do të shpërndahen edhe nëpër lozha për të reduktuar kontaktet mes tyre. Teknologjia, si forma më e avancuar për të arritur te elektorati, duket se do të përdoret gjatë. Madje, edhe pas pandemisë.

Por, përveç nismave të rëndësishme si përshtatja e Kodit Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën, ngritja e KQZ-së së re, fokusi kryesor i ligjvënësve do të jetë tek amnistia fiskale. Kuvendi ka publikuar në faqen zyrtare edhe rendin e ditës që do të miratohet gjatë seancës së sotme plenare, e cila do të nisë në orën 17:00.

Rendi i ditës i seancës plenare është: Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 29.07.2020 dhe 30.07.2020; Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim; Miratimi/Njoftimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator – 16 tetor 2020; Miratimi/Njoftimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 7-25 shtator 2020.