Më pak lindje dhe më shumë pensionistë. Është kjo luhatja demografike që vihet re nga të dhënat e muajve të parë të këtij viti.

Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore nga Janari në Qershor janë 10 mijë e 148 persona të cilët iu shtuan kategorisë së pensionistëve të pleqërisë. Sipas të dhënave moshën e pensionit e kanë mbushur më shumë meshkuj ose 6 503 dhe femra vetëm 3 645

Jo vetëm në paga por edhe në pension meshkujt marrin më shumë. Referuar raportit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor për meshkuj është 16,384 lekë, ndërsa për femrat është 13,072 lekë. Një diferencë e tillë justifikohet edhe me pagën që iu është deklaruar këtyre pensionistëve të rinj në vitet e tyre të punës.

Teksa numri i pensionistëve është rritur, lindjet në 6-mujorin e parë të vitit kanë rënë me 8%. Konkretisht nga mbi 14 mijë në periudhën janar-qershor në 2019, në këtë vit kishim për të njëjtën periudhë vetëm 12 mijë e 250 lindje. Nga ana tjetër në sistemin e sigurimeve ka rënë edhe numri i kontribuuesve. Për ekspertët ulja e numrit të kontributeve vë në rrezik edhe masën e pensionit që përfitojnë qytetarët

Nëse ne kemi probleme demografike bëhet më e vështirë të realizojmë të ardhurat dhe bëhet edhe më e vështirë për të mbajtur skemën e pensioneve. Kështu edhe skema e pensioneve do të cenohet, dhe për prindërit tanë do të jetë më e vështirë të marrë pensione më të larta , thotë eksperti i çështjeve ekonomike Azmi Stringa.

E ndarë sipas qarqeve, numri më i lartë i pensioneve të reja është  në Tiranë, Fieri, Korçë dhe Vlorë. Kukësi është qyteti me më pak pensionistë të rinj.