Kreu i Shtetit Ilir Meta i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama në lidhje me deklaratën e kryeministrit grek, Kyriakis Mitsotakis në lidhje me zgjerimin detar, ndërsa ka ushtruar një sërë pyetjesh për të cilat kërkon informacion zyrtar.

Presidenti i kërkoni informacion të detajuar Ramës nëse ka zhvilluar komunikime me kryeministrin grek, apo zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit helen, në lidhje me çështjen, qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare dhe veprimet që planifikohen të merren.

“Duke pasur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë, si dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj informacione të detajuara mbi:

Komunikimin që keni zhvilluar me Kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje

Qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij

Veprimet që planifikohen në ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë” shkruhet në letër.