Vlash Pjetri nuk do të jetë më administrator i njësinë Rrethina në Shkodër pasi kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi e ka larguar nga ajo detyrë duke e emëruar si kryetar të bordit mbikqyrës tek institucioni “Ndërmarrja e Studentëve” në të cilin bashkitë kanë këshillin mbikqyrës.

Tashmë vendimi për ta larguar Vlash Pjetrin si administrator i Rrethinave është zyrtar përmes një shkrese të firmosur nga kryebashkiakja Ademi që mban datën 26 gusht 2020 e siguruar nga Star Plus Televizion e cila thotë se kjo lëvizje është bërë pas një kërkese nga vetë strukturat e PD Rrethina përmes një shkrese zyrtare nga ana e tyre.

Ja se çfarë shkruan kryebashkiakja në vendimin për largimin e Pjetrit si administrator i Rrethinave

“Pranë Bashkisë Shkodër, përfaqësuesit politik të strukturave drejtuese të Partisë Demokratike në njësinë administrative Rrethina, kanë paraqitur shkresën me lëndë “Kërkesë në lidhje me mirëadministrimin politik dhe funksional të Njësisë Administrative Rrethina.

Duke vlerësuar punën dhe bashkëpunimin në administrimin e shërbimeve në Njësinë Administrative Rrethina kam marrë kohën e nevojshme për shqyrtimin dhe vendimarrjen e duhur.

Kam gjyqkuar që është e domosdoshme krijimi i një sinergjie pozitive në administrimin territorial në njësinë administrative Rrethina duke bashkuar forcat dhe mundësitë për të bërë përpjekje për një përmirësim të punës përsa i përket administrimit të burimeve njerëzore dhe ofrimit nga ana tjetër të shërbimeve publike për qytetarët.

Kësisoj unë kam vendosur që tu emëroj në një detyrë tjetër, duke ju angazhuar në administrimin e shoqërisë aksionere “Trajtimi i studentëve Shkodër” në pozicionin e Kryetarit të Këshillit Mbikqyrës të kësaj shoqërie” thuhet në shkresën e firmosur nga kryebashkiakja Voltana Ademi.

Ndërkohë afro një muaj më parë, në zyrën e kryebashkiakes Ademi ka mbërritur një kërkesë e firmosur nga katër kryetar të grupseksioneve të PD në njësinë Rrethina të cilët i kanë propozuar kryebashkiakes largimin e Vlash Pjetri si administrator. Ja se çfarë shkruhet në atë kërkesë zyrtare që Star Plus e ka siguruar gjithashtu:

“Duke nisur nga nevoje imediate për një performancë më të mirë dhe një kontribut gjithëpërfshirës politik dhe administrative në drejtimin e njësisë administrative Rrethina, në zbatim të programit tuaj për drejtimin dhe zhvillimin e kësaj njësie, marrë nga ju si angazhim elektoral në zgjedhjet e vitit 2015 9diktuar kjo edhe nga koha e afrimit të zgjedhjeve) ju sugjerojmë që drejtimi i kësaj njësie në nivel Administratori duhet ti ofrohet një drejtuesi të nievlit të lartë politik në PD-në e kësaj njësie (Kryetarëve të Grupseksioneve)

Ne besojmë që kjo gjë do të rrisë performancë e drejtimit të njësisë në përgjithësi si në planin e bashkëpunimit politik e elektoral ashtu edhe të administrimit ligjor si dhe përcaktimin e prioriteteve të domosdoshme të zhvillimit ekonomik të kësaj zone, mbetemi me shpresë se kërkesa jonë do të miratohet. Faleminderit për bashkëpunimin” thuhet në shkresën e firmosur nga katër kryetar grupseksionesh të njësisë Rrethina, Safet Anxa, Tonin Dedaj, Emiljano Pjetri dhe Erjon Selgjekaj.

Pas kësaj lëvizjeje është ende e paqartë se kë do të emërojë kryebashkiakja Ademi si administrator në njësinë Rrethina por sipas burimeve emri që mund të zëvendësojë Vlash Pjetri është Tonin Dedaj që është kryetar grupseksioni i PD në Rrethina dhe një prej katër firmëtarve në shkresën zyrtare ku kërkohej largimi i Vlash Pjetrit.

Po ashtu sipas burimeve konfirmohet se këto dy shkresa zyrtare nuk kanë mbërritur edhe tek dega e PD Shkodër edhe pse bëhet fjalë për një lëvizje të pastër politike brenda familjes demokrate. /star plus/