Partia Demokratike ka përmbyllur fazën e saj të parë të selektimit të kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie për zgjedhjet e ardhshme. Në një intervistë për ABC NEWS, ish-presidenti dhe anëtari i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, Bujar Nishani flet për emrat e rinj që do të jenë pjesë e listave të demokratëve.

Kur demokratët e Shkodrës propozuan emrin e ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli u fol gjatë për rikthimin e saj, por ish-nënkryetarja e PD deklaroi se do të refuzoi të plotësojë formularin.

A do të skualifikoi komisioni emrin e Topallit nëse ajo nuk do ta dorëzojë këtë formular?

Unë vazhdoj ti qëndroj mendimit tim dhe bindjes time që kontributi i zonjës Topalli është dhe vazhdon të mbetet i rëndësishëm për Partinë Demokratike. Por natyrisht, që gjykimet janë personale. Tek pjesa tjetër, çështja procedurale se si veprohet në këtë proces është një çështje që është në referencë të vendimeve politike që kanë marrë organet e PD.

Gjithëkush prej nesh vepron dhe është angazhuar në respekt të plotë të këtyre vendimeve. Në momentin që një procedurë kthehet në një akt vendimarrës të gjithë ne jemi të obliguar dhe ti ndjekim ato. Unë mendoj se ky proces i zgjedhjes është një proces që ka përfshirë shumë hallka. Unë mendoj se ata mijëra demokratë që janë përfshirë në këtë proces meritojnë të respektohen” deklaroi Nishani

Nishani shpjegon edhe atë që do të ndodh me listën e emrave që nuk kaluan në fazën e dytë të procesit.

Brenda 5 ditëve të gjithë kandidatët që kaluan fazën e parë do të plotësojnë një formular të detajuar mbi të dhënat e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe kontributet në parti.