Kryeministri Rama ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Meta se qeveria shqiptare është përgjegjëse për situatën e shkaktuar në Kakavijë.

Fajësimin e qeverisë, Rama e konsideron si “sebep” të Presidentit për të abuzuar me insitutcionin ndërsa argumentat e Metës i quan “parodi alla Baba Xhike”

“Fajësimi qeverisë për situatën në Kakavi,thjesht një sebep i rradhës për avazin e vjetër të një Presidenti që abuzon me institucionin e lartë,për qëllimet e ulëta të Lëvizjes së tij të Çintegruar politike! Ndërsa argumentat për fajësimin pastaj pfff..parodi tipike alla Baba Xhike” shkruan Rama.

Qeveria shqiptare është përgjegjës për situatën e krijuar tha Presidenti Meta më herët duke e cilësuar si të pafalshme sjelljen e qeverisë në krizën e Kakavisë.

“Situata në Kakavijë ka të bëjë me përgjegjësinë e pa ushtruar nga ana qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj. Është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masta dhe të kujdeset për shtetasit e saj. Çfarë informacioni u është dhënë njerëzve për ata që udhëtojnë jashtë vendit? A ka patur njoftim nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi kuotën e leje-kalimit mbi 750 persona në ditë? Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin. Radhët e gjata kilometrike janë të pajustifikuara nga autoritetet tona. Një qeveri e përgjegjshme nuk reagon pas krijimit të situatave te jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla tha Meta / Opinion.al