Një ditë pasi nxori një shkëmbim mesazhesh me kreun e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, biznesmeni Ylli Ndroqi duket se paralajmëron që publiku nuk ka parë gjë akoma, për ata që ka votuar dhe i mban në poste drejtuese.

Ndroqi shkruan në një postim në rrjetet sociale se rruga që e pret përpara është e gjatë dhe se publiku do të njihet me të vërteta të forta, për njerëzit që janë në pushtet, dhe e kanë kthyer vendin njësoj si në vitet e fillimit të diktaturës.

Ndroqi pretendon se sekuestrimi i pronave të tij është një vendim tërësisht politik, dhe duket se në ditët në vijim do të bëjë publike prova të tjera nga presionet që sipas tij i ka bërë politika.

Mbetet për tu parë nëse pjesë e publikimeve dhe mesazheve të bëra publike nga Ndroqi, do të jetë dhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama, i cili nuk ka bërë as edhe reagimin më të vogël lidhur me sekuestrimin e pronave të Ndroqit.

Përmes avokatëve të tij, Ndroqi e ka apeluar vendimin e dhënë nga SPAK për sekuestrimin e 26 pronave të tij, dhe pritet që në ditët në vijim apeli të shprehet lidhur me këtë ccështje, të bujshme. Sipas Ndroqit, i vetmi qëllim i kësaj lëvizjeje, është ndryshimi i vijës editoriale të televizioneve që ai drejtonte, ndërsa iu ka bërë thirrje të gjithë punonjësve të dy televizioneve që në këto ditë të bëjnë një rezistencë gazetaresve në mbrojtje të pavarësisë së tyre.