Me anë të një deklarate për mediat që është rutinë në përditësimin e të dhënave të fundit nga Covid19 muinistria e Shëndetësisë përmes, Eugena Tominit pranoi se numri i pacientëve të shtruar në spitalet Covid është më i madh nga sa ai që është raportuar zyrtarisht, por nuk përmendi shifër dhe nëse janë të gjithë pozitiv me koronavirus.

Sipas Tominit, aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 21 paciente janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.

“Po ashtu në dy spitalet, Covid-1 dhe Covid-2, përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, vijojnë të marrin trajtim pacientë të dyshuar nga ana imazhetike si te prekur nga covid19, të cilët po trajtohen sipas protokolleve nga ekipet tona mjekësore në dy spitalet” deklaratë kjo e bërë për herë të parë ditën e sotme dhe që koencidon me lajmin e bërë publik ditën e sotme nga Fax News dhe Faxweb.al.

Spitali ‘Shefqet Ndroqi’ i cili prej disa javësh tashmë është shndërruar në Covid-2, është drejt ezaurimit të kapacitetit të plotë të tij. Burime bëjnë me dije për Fax News se nga 200 shtretër që ky spital ka në dispozicion, vetëm 10 kanë mbetur të lira, ndërkohë që në këtë spital janë duke u trajtuar rastet më të rënda.

Deri më tani nuk ishte akumuluar në asnjërin prej përdfitësimeve të Miniostrisë së Shëndetësisë një fakt i tillë, teksa një pjesë e personave të shtruar në të dy spitalet Covid, qoftë në Infektiv, qoftë edhe në Sanatorium, tashmë janë negativ nga Covid, por për shkak të dëmtimeve të mundshme në mushkëri, apo në organe të tjera jetike, ata kanë ende nevojë për trajtim spitalor.

Burime bëjnë me dije se në total tek “Shefqet Ndroqit” janë 50 pacientë me Covid, dhe pjesa tjetër janë ose negativ, ose kërkojnë trajtime që nuk kanë të bëjnë me rastet e koronavirusit.

Edhe në spitalin Infektiv ka ende persona që janë të dyshuar me Covid, dhe për këtë shkak numri i personave që raportohen ditë pas dite nga ana e ministrisë si të hospitaliuar është më i vogël. Në Infektiv nga 120 shtretër që janë gjithsej, 90 prej tyre janë të zëna nga të cilët vetëm 30 janë të lirë për pritjen e pacientëve momentalisht.

Por çfarë thoshte një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë?!
Sipas saj në të dy spitalet Covid, ishin duke marrë shërbim 116 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 23 paciente janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar. Nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për pacientët me Covid pas mbushjes së kapacitetit të ‘Shefqet Ndroqit’, pasi më shumë sesa ambientet, që janë parashikuar të jenë te ish-kirurgjia, problem mbetet dhe mungesa e stafit të kualifikuar.

Deri më tani si staf rezervë janë menduar që të përdoren 30 vullnetarët që u kthyen nga Italia, të cilët kanë edhe një eksperiencë sado minimale në përballimin e rasteve Covid. Një nga emrat që flitet se do të drejtojë spitalin Covid 3 është mjeku i Infektivit, Arjan Harxhi.

Ndërkohë që me ritmin e personave të prekur, dhe atë atyre që janë duke kërkuar ndihmë spitalore, situata duket se po shkon drejt një kolapsimi, dhe nuk do të jetë e largët dita kur të shohim pacientë që qëndrojnë korridoreve, njësoj siç ndodhte në të gjitha vendet e tjera në nisje të pandemisë.

Nëse të gjitha vendet e zhvilluara morën masa që spitalet të ktheheshin në strehë të sigurta për pacientët, që kërkonin çfarëdo lloj trajtimi, në vendin tonë ndodhi e kundërta, dhe prej javësh qeveria, përveç masave për ndalimin e muzikës, nuk po ndërmerr asnjë nismë inteligjente për frenimin e përhapjes së virusit.