Situata e pandemisë në vendin tonnë vijon të mbetet shqetësuese, ku numri i personave të infektuar vijon të rritet dita ditës. Gjithashtu dhe numri i personave që kanë ndërruar jetë vazhdon të mbetet tepër i lartë ku vetëm gjatë ditës së sotme kanë ndërruar jetë 6 qytetarë në të dy spitalet Covid

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 561 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19 ku 139 persona janë konfirmuar pozitiv. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 110 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 21 paciente janë në terapi intensive, 6 prej të cilëve pacientë të intubuar.

Po ashtu në dy spitalet, Covid 1 dhe Covid 2 ministria ka pranuar se përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë, vijojnë të marrin trajtim pacientë të dyshuar nga ana imazhetike si të prekur nga Covid19 të cilët po trajtohen sipas protokolleve nga ekipet mjekësore. Shifrat álarmante kanë bërë që apeli i Ministrisë së Shëndetësisë të jetë tepër i fortë për respektimin e masave nga ana e qytetarëve

Në njoftim thuhet se qytetarët duhet të zbatojnë me rigorozitet masat e distancimit social si dhe ruajtjen e higjenës personale. Një aspekt tjetër që qytetarët duhet të kenë parasysh është shmangia e grumbullimeve masive dhe ceremonive të cilat me arrdhjen e motit të nxehtë janë shtuar ndjeshëm në të gjithë territorin e vendit.

Thirrja e ministrisë: Të nderuar qytetarë

Në rast se dyshoni se jeni të prekur nga Covid19 dhe keni shenja të sëmundjes, të telefononi menjëherë Urgjencën Kombëtare në numrin 127 për të kërkuar ndihmën mjekësore.

Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për tu lidhur me mjekun tuaj të familjes apo për informacione të tjera rreth infeksionit të koronavirusit

Në fund të këtij komunikimi një thirrje për të gjithë qytetarët: Shmangni grumbullimet masive në lokale, bare, dhe çdo lloj ceremonie që shkakton rrezik për shëndetin dhe bëhet burim i shpërndarjes së infeksionit duke rrezikuar shëndetin tuaj, të prindërve dhe të afërmve tuaj.

Sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë; epidemiologët në terren po vijojnë punën për testimin dhe gjurmimin e personave të dyshuar me Covid19, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Mjekët e familjes në të gjithë vendin monitorojnë në vijimësi personat e prekur nga Covid19 që janë të izoluar në shtëpi dhe rastet e dyshuara. Në të dy spitalet që po trajtohen pacientët e prekur apo të dyshuar me infeksionin Sars-Cov 2 po punohet pa reshtur në shërbim të çdo pacienti, më përkushtim e profesionalizëm.

Që ky përkushtim i ekipeve të sistemit shëndësor të vlejë, duhet që, të gjithë të bashkëpunojmë duke respektuar masat e vendosura; të mbani maskën detyrimisht në të gjitha ambientet e mbyllura, të ruani higjenën personale dhe distancimin fizik. për mbrojtjen nga infeksioni dhe për kufizimin e përhapjes së tij.